Lajme

Raportimet e Albanian Post – PSD dorëzon kallëzim penal ndaj Liburn Aliut e Naser Hafizit


Frashër Krasniqi

Partia Socialdemokrate, të mërkurën, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Naser Hafizit zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, nën dyshimet se i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

“Një javë ditë raportohet që ka shkelje ligjore dhe falje të miliona eurove dhe Liburn Aliu nuk e thotë asnjë fjalë. Del the thotë që janë shpifje për vendime që janë marrë nga ministria e vetë dhe të cilat i janë dorëzuar kabinetit të ministrit”, tha anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi.

Krasniqi i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të veprojë sa më shpejt dhe që ta ndalojë këtë krim që është duke ndodhur në Ministrinë e Infrastrukturës.

“Nuk mund të ndodhë një krim i përmasave të tilla pa dijeninë e Liburn Aliut dhe të kryeministrit Albin Kurti”.

Albanian Post javë më parë raportoi për një hajni multi-milionëshe ku të përfshirë ishin, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore.

Përmes një procedure të sofistikuar mashtrimi, Albanian Post, raportoi se Aliu e Hafizi, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Vetëm në pjesën e dosjes që e ka zbërthyer Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.

Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.

Ekskluzive: Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut dhe Naser Hafizit

Ekskluzive: Liburn Aliu e Naser Hafizi ia shlyen kompanisë “Fluidi” borxhin prej 3.5 milionëve për vetëm 13 mijë euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore