Lajme

Raporti mbi programin e sterilizimit të fshehtë të fëmijëve shkakton zemërim në Japoni


Në Japoni, aktivistët kanë reaguar me zemërim ndaj një raporti të qeverisë që zbulonte se fëmijët 9 vjeç ishin në mesin e mijëra njerëzve që u sterilizuan me forcë sipas një ligji që nuk u shfuqizua deri në vitet 1990.

Raporti prej 1 mijë e 400 faqesh, i dorëzuar në parlament këtë javë, detajon se si midis viteve 1948 dhe 1996 rreth 16 mijë e 500 njerëz u operuan pa pëlqimin e tyre sipas ligjit.

Ky i fundit synonte “të parandalonte lindjen e pasardhësve të dobët nga ana shëndetësore dhe të mbronte jetën dhe shëndetin e nënës”.

Sakaq, shumica e viktimave ishin gra.

8 mijë të tjerë dhanë pëlqimin – me siguri nën presion – teksa afro 60 mijë gra kishin abortuar për shkak të sëmundjeve të trashëguara.

Dy 9-vjeçarët që u sterilizuan ishin një djalë dhe një vajzë, thuhet në raport.

Fushata e gjatë e viktimave për dëmshpërblim ka nxjerrë në pah keqtrajtimin e shtetit japonez ndaj personave me aftësi të veçanta dhe kushteve kronike në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2019, deputetët miratuan legjislacionin që i ofronte çdo viktimë kompensim qeveritar prej 22 mijë e 800 dollarë, një shumë që aktivistët kanë thënë se nuk pasqyron vuajtjet që kishin përjetuar viktimat.

Ndërkaq, afati i aplikimit për pagesë do të skadojë në prill të vitit 2024, por deri më sot vetëm 1 mijë e 49 e kanë marrë shumën.

Viktimat e programit të sterilizimit kanë bërë fushatë për dekada duke kërkuar dëme financiare dhe njohje të ankthit fizik dhe mendor që duruan.

Deri më tani, katër gjykata kanë dhënë dëmshpërblime për viktimat, por të tjera janë mbajtur në anën e qeverisë, me pretendimin se parashkrimi 20-vjeçar kishte kaluar.

Por avokatët kanë argumentuar se viktimat mësuan për natyrën e operacionit të tyre shumë vonë për të përmbushur afatin ligjor për të kërkuar dëmshpërblim.

Edhe Gjermania dhe Suedia kanë pasur masa të ngjashme, por që atëherë u kanë kërkuar falje viktimave dhe kanë ofruar kompensim. Ligjet e të dy vendeve u shfuqizuan dekada përpara se të shfuqizoheshin ato të Japonisë.

Pas publikimit të raportit, kryesekretari i kabinetit, Hirokazu Matsuno, ka thënë se qeveria “reflekton sinqerisht dhe kërkon falje të thellë për viktimat dhimbje të jashtëzakonshme” që pësuan nga sterilizimi i detyruar.

Raporti vuri në dukje se sterilizimi sipas ligjit tashmë të zhdukur ishte një kërkesë për pranimin në disa institucione sociale ose për martesë.

Ai u lejonte autoritetet të kryenin procedurën për personat me aftësi të kufizuara intelektuale, sëmundje mendore ose çrregullime të trashëguara për të parandaluar lindjen e fëmijëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore