Lajme

Raporti i Progresit demantoi keq kryeministrin për shifrat e rritjes ekonomike – A u manipuluan shifrat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës?


Foto: Albanian Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 23 shtator të këtij viti, kishte thënë se rritja ekonomike për vitin 2022 kishte qenë 5.2 për qind, për t’u demantuar më 7 nëntor nga Raporti i Progresit, në të cilin thuhet se “rritja reale ekonomike ra në 3.5 për qind në vitin 2022, që është nën normën mesatare të rritjes ekonomike para pandemisë (2015-2019) prej rreth 5 për qind”.

Këto të dhëna Kurti i kishte paraqitur përmes një postimi në Facebook, në vazhdën e atyre postimeve që është duke i bërë kohëve të fundit ku po përpiqet që të paraqesë “sukseset” e qeverisjes së tij më shumë se dy vjeçare në fusha të ndryshme.

Mirëpo, këtë radhë, të dhënat e kryeministrit nuk përkojnë me ato që janë paraqitur nga raporti i hartuar nga Komisioni Evropian, derisa publikimi i këtyre shifrave nga ana e Kurtit, nga njohës të çështjeve ekonomike po konsiderohet si “manipulim” i shifrave.

Sipas ekonomistit Erton Bega, deklarata e Kurtit për rritje ekonomike prej 5.2 për qind është bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), i cili ishte publikuar në shtator të këtij viti, mirëpo manipulimin me shifra e sheh si diçka të paprecendetë.

“Por siç duket ky raport po kontestohet dhe nuk është pranuar nga Komisioni Evropian, që është e paprecedentë për raporte të tilla që pasqyrojnë statistika për të kaluarën. Zakonisht ka mospërputhje në parashikimin për rritjen ekonomike, por jo në statistikat që tashmë duhet të jenë të dokumentuara dhe pranuara nga të gjitha palët”, thotë Bega në një bisedë për Albanian Post.

Madje, eksperti i ekonomisë ka edhe një vërejtje për ASK-në, pasi që potencon se e njëjta duhet që të jetë tepër e kujdesshme në prezantimin e të dhënave të besueshme, “pasi që viteve të fundit ka ndryshuar disa raporte dhe ka vonuar disa raporte periodike, dhe të gjitha këto mund të ulin kredibilitetin e ASK-së në organizatat ndërkombëtare”.

Ndërsa, sipas ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Berat Rukiqi, kryeministri Kurti “është shndërruar në manipulues të shifrave, i ekzagjeron, i paraqet me grafikone të hiperbolizuara etj”.

“Ajo që pasqyron Raporti i Progresit është pasqyrë e vërtetë e jona, dhe normalisht e demanton këtë pjesën që qeveria e përdor si propagandë me shifra, pra për rritjen reale”, thotë Rukiqi për AP.

Rukiqi thekson se nuk mund të flitet vetëm “me optikën e qeverisë” se si ajo e sheh gjendjen e ekonomisë, “por duhet të flasim atë se çfarë është gjendje reale dhe faktike”.

“Normalisht 3.5 % është shumë e ulët dhe shumë më pak sesa janë nevojat e Kosovës për zhvillim dhe shumë më e ulët se mesatarja që ka qenë ndër vite, pra 4 deri në 4.5 %”.

“Shohim që ka ngecje në aspektin ekonomik në shumë fusha, për më shumë tregon se kemi ngadalësim të rritjes ekonomike edhe faktikisht tregon edhe për një dëm që e ka shkaktuar inflacioni”, shton ai.

Berat Rukiqi

Për më shumë, pohon anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “një pjesë që ne e kemi konsideruar si kancer të ekonomisë edhe të investimeve, e që mbetet ende shqetësim, pra një ndër shqetësimet më të mëdha, është pjesa e korrupsionit”, e cila përmendet edhe në Raportin e Progresit.

Nga ana tjetër, ekonomisti Bega bënë edhe një panoramë të rritjes ekonomike që ka qenë ndër vite, dhe e krahason me këtë aktualen.

Erton Bega

Ai tregon për AP, duke iu referuar të dhënave të ASK-së ndër vite, rritja mesatare ekonomike në Kosovë para pandemisë ka qenë 4.64%, “me vitin 2012 që shënon rritjen më të ulët ekonomike prej 1.7% dhe vitin 2011 që shënon rritjen më të lartë ekonomike me normë rritjeje prej 6.3%”.

Tutje, Begaj shpjegon se pas pavarësisë, ekonomia është rritur vazhdimisht në norma solide, “por ka qenë e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat socio-ekonomike të vendit”, teksa shton se dy vitet e pandemisë s’mund të merren për bazë në asnjë analizë të shëndoshë ekonomike.

“Pasi kemi të bëjmë me mbyllje totale të ekonomisë në vitin 2020 dhe kjo ka ulur bazën e bruto produktin vendor në vitin përkatës, duke sjellur në vitin vijues një rritje të lartë ekonomike në aspektin nominal por që realisht është rritje e ulët pas vlera e BPV nuk ka lëvizur esencialisht krahasuar me vitin 2019”, thekson ai për AP.

Ndërsa, tani raporti i Komisionit Evropian konstaton se ekonomia e Kosovës është rritur në normën reale prej 3.5 për qind në vitin 2022, e që është rritja më e ulët se trendet mesatare të rritjes ekonomike në Kosovë, kjo krahasuar me 5 vitet para pandemisë që rritja ekonomike ishte mesatarisht 5 për qind.

Ky ngadalësim i rritjes ekonomike, sipas ekonomistit Bega, “erdhi si pasojë kryesisht e nivelit të ulët të investimeve publike në vitin 2022, me ç’rast u realizuan vetëm 60% e shpenzimeve kapitale (419 milion nga 704 milion euro), mosfunksionalizimit të OSHP-së”, teksa citon raportin ku thekson se nënpërformanca e buxhetit publik erdhi si rezultat i kapaciteteve të dobëta planifikuese dhe zbatuese të institucioneve dhe nën-ekzekutimit të përsëritur të shpenzimeve kapitale në vitet e fundit.

Në raport thuhet se të ardhurat për kokë banori në Kosovë mbeten më të ulëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke qëndruar kështu në 27 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian në vitin 2022.

Prandaj, Bega vlerëson është momenti i fundit që qeveria të rris performancën e ekzekutimit të buxhetit e jo të bëhet “shkaktare direkte e ngadalësimit të rritjes ekonomike sepse në këtë formë rritet hendeku ndërmjet  të ardhurave për kokë banori të Kosovës krahasuar me vendet tjera”.

“Kjo qeveri nuk njihet për ndonjë politikë zhvillimore ekonomike apo për ndonjë projekt kapital që do të krijonte zinxhirin e vlerës së shtuar në ekonomi”, shtoi.

Fokusi i saj, potencon Bega, është më shumë i orientuar në politika sociale përmes skemave të ndryshme që i bëjnë bizneset përfitues indirekt, “përmes disa skemave që synojnë punësimin, përkatësisht formalizmin e vendeve të punës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore