Financa

Raporti i dobët i vendeve të punës në SHBA, tensione mes palëve


Tensionet politike para bisedimeve dypalëshe mes Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve mbi planet e ardhshme ekonomike janë amplifikuar për shkak të një raporti të dobët të vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Agjencia e lajmeve, Financial Times, tregon se kjo po e komplikon edhe më tej rrugën drejt një marrëveshjeje pasi të dhënat flisnin për një rënie të ritmit të punësimit në ekonominë amerikane nga 770 mijë në muajin mars në 226 mijë në prill.

Joe Biden, presidenti amerikan, i ka drejtuar thirrje Kongresit për të vepruar shpejt duke miratuar legjislacionin ekonomik shtesë përtej stimulit fiskal të miratuar tanimë prej 1.9 trilioni dollarë.

Në kërkesën e tij ndaj ligjvënësve përfshihej kalimi i propozimeve prej 2.3 trilioni dollarë shpenzime në infrastrukturë dhe 1.8 trilionë dollarë shpenzime neto të sigurimeve shoqërore gjatë një dekade, të cilat do të paguhen me taksa më të larta për të pasurit dhe korporatat.

Për të nisur bisedimet, Biden do të mirëpresë në Shtëpinë e Bardhë gjatë ditës së mërkurë katër udhëheqësit e Kongresit, ku përfshihet Nancy Pelosi që është kryetari i Dhomës, Chuck Schumer që është udhëheqësi i shumicës në Senat dhe republikanët, Mitch McConnell dhe Kevin McCarthy.

“Askush nuk duhet të nënvlerësojë se sa e vështirë është kjo betejë”, është shprehur presidenti duke shtuar se “kemi ende punë për të bërë këtu në Washington. Populli amerikan po mbështetet te ne. Le ta bëjmë këtë. Le të ndërtojmë një ekonomi që u jep të gjithëve një shans dhe dinjitet”.

Mirëpo, palët nuk janë të një mendimi. Teksa demokratët theksojnë rëndësinë e veprimit shtesë për të forcuar rimëkëmbjen, republikanët bëjnë thirrje që administrata të ndryshojë kurs veprimi dhe të ndërmarrë rregullime në strategjinë ekonomike.

Republikani i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, përmes një deklarate ka thënë se Biden-i “nuk po rregullon një krizë, por po krijon kriza të reja”.

Ai ka shtuar se “nëse presidenti Biden nuk pushon së dyfishuari në axhendën e tij të dështuar të taksave dhe shpenzimeve, nëse nuk punon me republikanët për të rindërtuar ekonominë tonë, politikat e tij të epokës së krizës do të vazhdojnë të fusin amerikanët në një cikël frike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore