Raporti i DASH-it për Lirinë e Mediave, Krasniqi: Qeveria t’i ndalë kërcënimet ndaj gazetarëve

SHFLETO

Memli Krasniqi

 

Dreni Himbeqa
13.04.2022 19:09
Loading Icons...

Si të pa pranueshme e ka quajtur interferimin e Qeverisë së Kosovës në punën dhe lirinë e mediave, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, i cili përmes një statusi në Facebook ka komentuar raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, raportohet se në Kosovë ka ende pengesa në pjesën për lirin e shprehjes, përfshirë edhe lirin e mediave dhe rrjedhimisht interferim të pushtetit.

Sipas deputetit nga radhët e PDK-së, mendësia e kërcënimit të mediave nga qeveritarët, nuk ka të bëjë asgjë me traditën politike të Kosovës.

“Prandaj, duke mbështetur pa asnjë rezervë punën e lirë të gazetarëve, ne ftojmë qeverinë që të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të japë shembullin e respektimit të lirisë së medias e të ndalojë kërcënimin ndaj tyre. Ky është një prej obligimeve themelore që do të duhej ti kishte një qeveri demokratike”, ka shkruar Krasniqi.

Shqetësuese e ka konsideruar vërejtjen serioze të DASH-it për cenimin e fjalës së lirë dhe mediave edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Inkurajuese vlerësimet e DASH për disa fusha përfshirë edhe tranzicionin e FSK-së. Njëkohësisht shqetësuese, vërejtjet serioze për cenimin e fjalës së lirë dhe mediave, mosndëshkimin e korrupsionit e të tjera. Qeveria t’i adresojë me urgjencë këto gjetje”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin e tij social në Twitter.

Ilustrim

Ndryshe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, në pjesën për lirin e shprehjes, përfshirë edhe lirinë e mediave, është dhënë kërcënimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, që i kishte bërë Albanin Post-it, rreth publikimit të një lajmi ku mbulohej caktimi i ambasadorëve nga Qeveria e Kosovës.

“Në shtator, Haki Abazi, deputet i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërcënuar median online Albanian Post dhe drejtorin e saj mbi mbulimin e lajmit për caktimin e ambasadorëve nga qeveria. Mediumi publikoi incizimin e këtij incidenti”, thuhet në raportin e DASH-it.

Shembulli me kërcënimin që Abazi i kishte bërë AP-së është dhënë për të ilustruar se si në Kosovë ka ende pengesa për mediat e pavarura dhe tendeca të interferimit të pushtetit.