Lajme

Raporti i DASH-it: Mosmarrëveshja me Serbinë dhe korrupsioni, ndër pengesat për investime të huaja në Kosovë


Departamenti i Shtetit

Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit për klimën e investimeve, tërheq vërejtjen për mundësitë e kufizuara të Kosovës për investime të huaja për shkak të integrimit të pamjaftueshëm ekonomik rajonal dhe global, ndikimeve politike në ekonomi dhe gjyqësor, korrupsionit dhe sundimit të dobët të ligjit.

Gjithashtu, mungesa e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe tensionet e vazhdueshme në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë e bëjnë të vështirë tërheqjen e investitorëve të huaj në vend, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.

“Mosmarrëveshja e vazhdueshme e Kosovës me Serbinë dhe mungesa e njohjes formale nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, gjithashtu janë pengesë për investimet dhe krijon pengesa për të bërë biznes”, thuhet në raportin e diplomacisë amerikane.

Megjithatë, në raport thuhet se ekonomia kosovare ka treguar “elasticitet të konsiderueshëm” pas goditjeve nga pandemia Covid 19 dhe rritjes së shpejtë të çmimeve të mallrave, ndërsa remitancat nga diaspora vazhdojnë të jenë shtytësi kryesor ekonomik i vendit.

“Pavarësisht sfidave, Kosova ka tërhequr investitorë të rëndësishëm, duke përfshirë disa firma ndërkombëtare dhe ekskluzivitete amerikane. Disa investitorë tërhiqen nga popullsia e re e Kosovës, kostoja e ulët e punës, afërsia me tregun e Bashkimit Evropian dhe burimet natyrore”.

Investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kosovë rregullohen me ligj. Ai ka për qëllim mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja në Kosovë, duke iu ofruar investitorëve të huaj të drejta, masa mbrojtëse dhe garanci themelore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore