Kosova

Raporti i Bankës Botërore përplas pushtetin e opozitën: Arsye për optimizëm apo asgjë e pazakontë?


Ilustrim

Një raport i fundit i Bankës Botërore (BB) riktheu grindjet midis pushtetit dhe opozitës për gjendjen ekonomike në Kosovë, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, janë duke ia kthyer shpinën vendit të tyre për të nisur një jetë të re në shtetet perëndimore.

Kosova sivjet pritet që të shënojë rritje ekonomike prej 3.7 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm 3.9 për qind, vlerësoi raporti dyvjeçar i BB-së që u publikua të enjten. E ashtu sikurse ndodh rëndom, partia në pushtet e promovoi sikurse diçka të pazakontë, duke e pozicionuar Kosovën në vendin e parë për nga rritja ekonomike krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përkundër se BB-ja parashikoi rritje ekonomike për Kosovën në vitin 2024 dhe 2025, ajo paralajmëroi edhe për rreziqet e vazhdueshme të tregtisë dhe investimeve të dobëta, të cilat lidhen me dobësitë e vazhdueshme në rritjen globale, si dhe me mundësitë për rritjen e tensioneve gjeopolitike, emigrimin, pasigurinë zgjedhore dhe inflacionin e vazhdueshëm në rajon.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cilësoi “propagandë” përpjekjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që ta projektojë këtë sikurse diçka të jashtëzakonshme, duke shtuar se pavarësisht trajektores pozitive, megjithatë do të jetë vetëm 3.7 për qind apo më e ulët se mesatarja e 10 viteve më parë.

“Ajo do të jetë vetëm 3.7%, sërish më e ulët se mesatarja e 10 viteve para populliste; por mjaftueshëm për të bërë material propagandistik. Sa për rikujtim, ky pushtet kishte premtuar rritje ekonomike prej 6%. Sot, konstatojnë rritjen prej 3.7%. E në vend të pranimit të dështimit pothuajse për gjysmë, gjejnë si mburrje krahasimin me rajon”, vlerësoi LDK-ja.

“Aty jepet rritja ekonomike vjetore në shtetet e njëjta që pushteti i promovon. Në 9 nga 11 vitet pas pavarësisë, Kosova ka patur rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Plot 9 herë nga 11 vite kemi qenë të parët në rajon. Pra asgjë e pazakontë këtë vit! Mburrja e sivjetme është veçse zakonshmëri!”, shtoi LDK-ja në kuadër të fushatës “faktet para propagandës”.

Në raportin e BB-së për Kosovën, Shqipërinë, Bonjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, u ngrit parashikimi i rritjes për vitin 2024 për 0.2 për qind krahasuar me raportet paraprake, duke u bazuar në optimizmin se rajoni i ka tejkaluar krizat prej pandemisë së COVID-19.

E subjekti më i vjetër politik në vend nënvizoi se Kosovës i duhet rritje ekonomike prej 5 deri në 6 për qind për t’u krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Madje, sipas LDK-së, shtetit të vogël ballkanik i duhen 40 vjet për të arritur Kroacinë – në raportin e BB-së thuhet se me gjithë rritjen ekonomike, ajo nuk është e mjaftueshme për mirëqenien e qytetarëve.

Ndryshe, në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) u tërhiqet vërejtja autoriteteve kosovare se tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, gjithashtu edhe ngritja e çmimeve të mallrave, mund të kërcënojnë perspektivën ekonomike të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore