Raphael Dwamena, fenomeni i ri i Superiores

Romario Ismailaj
28.09.2023 13:07
Loading Icons...

“Nuk largohet edhe sikur të paguajnë 5 apo 10 milionë euro”, ishin këto fjalët e presidentit të klubit të Egnatias, Agim Demrozi, pas finales së fituar të Kupës së Shqipërisë 1-0 ndaj Tiranës në qershor, për sulmuesin Raphael Dwamena.

Presidenti besonte te mbajtja e elementëve më të mirë në klub dhe insistonte se kishte “një projekt dinjitoz”. Dhe, në fakt, fjalët e tij tashmë duket se po bindin edhe më kritikët.

Dwamena është ylli më i ndritur i Egnatias, dhe një nga më të ndriturit në elitën e futbollit shqiptar. Afrimi i tij është një bast i fituar nga Demrozi, duke ditur problemet në zemër që futbollisti ka dhe që e kanë privuar nga një karrierë që mund të kishte qenë e shkëlqyer në skenën e madhe Evropiane.

Ganezi, tanimë me shiritin e kapitenit në krah, po udhëheq një “anije drejt tokës së bekuar”.

Egnatia, ai klubi i vogël nga një qytet i vogël i Shqipërisë, Rrogozhina, ka bërë për vete shumë tifozë futbolli në vend me stilin tërheqës të lojës. Dhe, objektivat e këtij sezoni duket se janë më të mëdha se Kupa e Shqipërisë. Rrugëtimi i deritanishëm duket i mbarë.

Pas gjashtë javëve të para në Abissnet Superiore për sezonin 2023-24, Egnatia qëndron në krye të klasifikimit me 13 pikë, 3 pikë më shumë se Tirana e vendit të dytë. Bardheblutë kanë një ndeshje më pak.

Agim Demrozi – Raphael Dwamena (Prezantimi te Egantia)

Egnatia e nisi kampionatin me një humbje surprizuese 0-1 në shtëpi ndaj Skënderbeut. Megjithatë, që nga ajo humbje ata e morën veten shumë shpejtë, duke qenë të pathyeshëm në pesë ndeshjet e tjera. Skuadra e vetme në Superiore që ka pesë ndeshje radhazi me rezultate pozitive. Duke përjashtuar Paritizanin që ka dy ndeshje më pak (kanë luajtur katër javë dhe numerojnë dy fitore dhe dy barazime).

Fitorja e fundit e Egnatias erdhi në “Loro Boriçi” të Shkodrës të mërkurën ndaj vendasve të Vllaznisë në shifrat 0-2. Golin e dytë për miqtë e shënonte, i përhershmi, Dwamena.

Çdo ditë e më shumë vërtetohet pesha që ganezi ka në ekipin e Egantias dhe kokëfortësia e Demrozit për të mos e shitur kapitenin e ekipit te tij.

Pas ndeshjes me Skënderbeun, u ndezën motorët e Egnatias dhe kapitenit Dwamena.

Në takimin e javës së dytë në Kukës, 28-vjeçari shënoi golin e tretë të ekipit të tij në fitoren 0-4 në “Kukës Arena”.

Java e tretë e Superiores do të shihte fuqinë e plotë të ganezit. Në përballjen me Erzenin në Rrogozhinë, Egnatia triumfoi në shifrat 4-3. Dwamena realizoi tripletë brenda 12 minutave (10’, 16’ dhe 22’).

Në javën e katert, ganezi pati mundësinë të shënonte sërish emrin në listën e golashënuesve, por kësaj radhe dështoi të konvertonte në gol një 11 metërsh në fundin e pjesës së parë gjatë barazimit 1-1 me Partizanin në kryeqytet.

Megjithatë, ai la pas kraheve shumë shpejt atë penallti të humbur ndaj “Demave” dhe u rikthye me gol në sfiden ndaj Laçit. Ganezi realizoi golin e parë në fitoren 2-1 në “Egnatia Arena”.

Dhe, siç e përmendëm më sipër, Dwamena realizoi edhe në javën e gjashtë ndaj Vllaznisë, duke e çuar në gjashtë numrin e golave të tij në Superiore deri më tani këtë sezon.

Duket se është vetëm fillimi i lulëzimit të Dwamena-s. Superiorja tashmë mund të thuhet me vetëdije të plotë se ka një fenomen të ri. Por, asgjë nuk është e rastësishme.

Ardhja e tij në ligën shqiptare sigurisht që i atribuohet klubit të Egnatias dhe besimit që patën tek ai. 28-vjeçari nuk është fare i panjohur në skenën e futbollit. Jetëshkrimi i tij është shumë i pasur, pasi ka luajtur edhe në nivele të larta.

Raphael Dwamena me Egantian vs Laçi

I lindur në Nkawkaw, Ganë, Dwamena luajti dhe u stërvit me programin zhvillimor Red Bull Gana. Në Turneun Ndërkombëtar në Croix, Francë, në vitin 2013, ai ndihmoi ekipin RB Ghana U17 për të fituar medaljen e argjendtë dhe u emërua “Lojtari më i Mirë” i turneut.

Para se të kthehej në Ganë, Dwamena fillimisht udhëtoi në Austri për një provë njëjavore me FC Red Bull Salzburg.

Ai iu bashkua ekipit të të rinjve të Salzburg-ut në janar 2014, dhe menjëherë pati një ndikim në skuadrën U18. Në një turne në qershor të atij viti, ganezi shënoi shtatë gola në katër ndeshje. Edhe pse Salzburg-u përfundoi në vendin e tretë, ai fitoi Këpucën e Artë.

Në korrik 2014, Dwamena kaloi te Liefering ku bëri dhe debutimin në moshën 18-vjeçare në Ligën e Parë austriake (e dyta nga rëndësia). Në sezonin pasardhës 2015-16, ai do të shënonte edhe golin e parë si lojtar profesionist, më 18 shtator.

Në verën e vitit 2016, Dwamena kaloi te klubi tjetër austriak, Austria Lustenau për shifrën e 600 mijë eurove. Aty realizoi 18 gola në 20 ndeshje, para se ajo performancë t’i siguronte një kalim te Zurich-u zviceran, më 27 janar 2017.

Ndikimi i tij në klubin e ri ishte i dukshëm dhe i menjëhershëm. Më 12 gola në 18 ndeshje, ganezi ndihmoi Zurich-un të siguronte titullin e ligës dhe promovimin në Super League-n e Zvicrës. Dhe, në ligën më të lartë zvicerane, ai realizoi dy gola në debutim kundër Grassshoppers.

Në gushtin e vitit 2017, 28-vjeçari ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës për të kaluar në Premier League-n angleze. Skuadra e Brighton kishte rënë dakord me Zurich-un për transferimin e tij, por gjithçka u ndërpre kur testet mjeksore treguan probleme në zemrën e tij. Keshtu, ai mbeti te Zurich.

Ndonëse, ekzaminimet mjeksore te Brighton tregun probleme në zemrën e tij, ai përsëri vijoi të luante futboll dhe në gushtin e 2018 kaloi te Levante në Spanjë, pasi këta të fundit paguan 6.2 milionë euro për kartonin e tij.

Raphael Dwamena me Levante-n

Me Levante-n në La Liga, Dwamena u paraqit në 12 ndeshje duke dhuruar dy asistime. Më pas do të kalonte në huazim te Real Zaragoza në La Liga 2 për një sezon.

Tetori i vitit 2019 do të sillte një goditje të madhe për karrierën e tij. Pas ekzaminimeve të reja mjeksore, mjeket i sugjeruan Dwamena-s tërheqjen e menjëhershme nga futbolli.

Ai, megjithatë, vazhdoi të luante pasi kishte vendosur një kardioverter-defibrilator të implantueshëm (ICD) në janar 2020.

Pas kësaj, karriera e ganezit do të vijonte në Danimarkë, ku nënshkroi për Vejle-n. Pasi debutoi me gol në 2020, ai luajti edhe katër ndeshje të tjera, përpara se mjekët ta ndalonin të luante për shkak të problemeve në zemër.

Për shkak të gjendjes së zemrës dhe disa matjeve shqetësuese, Vejle konfirmoi më 26 tetor 2020, se Dwamena nuk mund të luante për një periudhë. Më vonë, në nëntor 2020, drejtori sportiv i Vejle-s deklaroi se Dwamena kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit për klubin.

Pavarësisht shqetësimit të mjekve, ganezi nuk hoqi dorë nga futbolli. Ai u rikthye në Austri duke nënshkruar me Blau-Weiss Linz më 25 qershor 2021. Megjithatë, dy muaj më vonë, Dwamena do të pësonte tronditjen e parë të vërtetë. Ai u rrëzua në fushë gjatë një ndeshjeje të Kupës së Austrisë kundër TSV Hartberg dhe u shtrua në spital më pas.

“Zoti gjithmonë ka menduar mirë me mua”, tha Dwamena asokohe, duke shpjeguar se ngjarja erdhi si pasojë e goditjes që i dha defibrilatori. Edhe mjekët më pas konfirmuan se goditje të tilla nuk ishin të rrezikshme për jetën e lojtarit, ndonëse më e mira do të ishte që ai të mos luante futboll sërish.

Por, dashuria dhe pasioni i tij për futbollin bënë që të mos hiqte dorë nga ky sport. Në janarin e vitit 2023, Dwamena nënshkroi për një klub të vogël zviceran të kategorisë së pestë, BSC Old Boys. Atje ai realizoi tetë gola në 11 paraqitje, përpara se të mbërrinte në Shqipëri.

Shqipëria duket se i ka sjellë lulezimin karrierës së ganezit, një karrierë që në kushte normale mund të ishte duke vijuar në elitën e futbollit botëror tashmë, siç është Premier League.

Në sezonin e tij të parë në Shqipëri, ai realizoi 11 gola dhe shtatë asistime në 18 paraqitje në Superiore, si dhe një gol dhe dy asistime në gjashtë ndeshje në Kupë.

Sezonin e ri, ai e nisi me tre gola në dy ndeshjet kualifikuese në UEFA Europa Conference League, ndonëse Egnatia u eliminua nga Ararat-i armen në raundin e parë. Gola, të cilat ju shtohen edhe gjashtë të tjerë në Superiore dhe që nënkuptojnë rilindjen e një karrierë që për pak sa nuk u shua atëherë kur duhet të arrinte majat.

Tanimë, me një karrierë në rritje dhe me statusin e konfirmuar të një goleadori, ish-lojtari i Kombëtares së Ganës, siç tha ai vetë disa kohë me parë “Vetëm dikush mund të më thotë që ka ardhur koha të ndalem, Zoti”, do të vijojë të çudisë Superioren.

Pengesa e radhës futbollistike për të do të jetë Teuta. Ndoshta do të jetë edhe “preja” e tij e radhës. Kjo mbetet të shihet të dielën e 1 tetorit në “Egnatia Arena”.

Megjithatë, statusi i tij i një fenomeni të ri në Superiore nuk do të vendoset nga ajo që bën në atë ndeshje, por nga ajo që ka çimentuar dhe po vijon të çimentojë çdo ditë e më shumë në futbollin shqiptar.

Të fundit

Aktuale