Sport

Ramos e këshillon Kane-n të transferohet te Real-i


Ish-mbrojtësi legjendasr i Real Madrid-it, Sergio Ramos, e ka këshilluar Harry Kane që të mos e refuzojë mundësinë për të luajtur për Real-in.

Los Blancos janë lidhur fort me një lëvizje për sulmuesin me vlerë 100 milionë funte pas vendimit të Karim Benzema për t’u larguar nga klubi pas 14 vitesh.

Manchester United është gjithashtu i interesuar për nënshkrimin e kapitenit të Anglisë, megjithëse pronari i Tottenham-it, Daniel Levy, heziton të shohë lojtarin e tij të largohet këtë verë – pavarësisht rrezikut për ta humbur atë me parametra zero në vitin e ardhshëm.

Ish-kapiteni i Real Madridit, Ramos, gëzoi 16 vite të mbushura me trofe në “Santiago Bernabeu” dhe mbrojtësi i Paris Saint-Germain ka dhënë një këshillë për yllin e Tottenham-it.

Sipas “Mirror”, ai tha: “Këshilla për secilin lojtar është të mos e refuzojë mundësinë për të luajtur për Real Madridin – është një klub i veçantë që di të fitojë”.

 (Photo by Julian Finney/Getty Images)

“Kane ka fizik të jashtëzakonshëm, nuk mund të shënosh aq shumë gola sa ai në Premier League dhe të mos jesh në gjendje të luash anën fizike të lojës”, shtoi Ramos sipas “Mirror”.

“Por gjithashtu ai mund të luajë edhe anën teknike të lojës dhe nuk mendoj se ai merr mjaftueshëm merita për këtë”.

“Po, ai është një golashënues i madh, por gjithashtu është edhe një futbollist i madh”, ka thënë Ramos, cituar nga “Mirror”.

Ramos sa ishte pjesë e Real-it ka fituar shumë tituj, duke përfshirë pesë të La Liga-s dhe katër trofe të Ligës së Kampionëve.

Kane nga ana tjetër nuk ka fituar ende asnjë trofe me Tottenham-in, pavarësisht se është një nga sulmuesit më të fortë në botë.

Ramos shtoi se kushdo që Madridi kërkon të nënshkruajë, duhet të përqafojë presionin për të zëvendësuar Benzema-n, të cilin ai e ndjen se është i pazëvendësueshëm.

37-vjeçari tha: “Ajo që duhet të bëni është të sillni një sulmues cilësor që mund të hyjë dhe të shënojë gola”.

“Jo të gjithë mund të luajnë për Real Madridin pasi ka kaq shumë presion dhe pritshmëri – kështu që duhet të jetë lojtari i duhur”, shtoi futbollisti i PSG-së.

Raportet kanë sugjeruar se presidenti i Real-it, Florentino Perez, do të përpiqet të ulë çmimin e anglezit, pavarësisht se Tottenham po përgaditet të fitojë një shumë të mirë parash nga shitja e kapitenit të tyre.

“Mail Sport” raportoi të dielën se burimet kanë treguar se Levy do t’i kuotojë Madridit një çmim fillestar prej 100 milionë funte për Kane.

Megjithatë, besohet se ka hapësirë ​​për të negociuar dhe duket se Real Madridi është i prirur për ta vënë atë në provë me këtë ofertë hapëse të raportuar prej 69 milion funte.

Megjithëse Manchester United është i interesuar, Levy është i bindur se nuk dëshiron t’ia shesë asetin e çmuar të klubit të tij një rivali vendas, siç janë “Djajtë e Kuq”.

Prandaj, Real Madrid ka fuqi për të negociuar një  tarifë më të ulët prej nën 100 milionë funte, duke e ditur se Levy nuk dëshiron të bëjë biznes me një klub tjetër anglez.

Në anën tjetër, Tottenham rrezikon ta humbasë Kane-n pa para, pasi që anglezit i skadon kontrata në verën e vitit të ardhshëm.

Mbetet për t’u parë nëse Kane do ta konsideronte seriozisht largimin nga Anglia për në Spanjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore