Lajme

Ramë Buja: Kurti e kundërshtonte marrëveshjen e Rambujesë sepse s’e kuptonte synimin e Shtabit të UÇK-së


Ramë Buja, ish-Komandant i UÇK-së

Ramë Buja është një nga ushtarakët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po merrte pjesë në Rambuje si pjesë e delegacionit të Kosovës udhëhequr Hashim Thaçi, drejtori politik i UÇK-së.

Në këto bisedime rraskapitëse, siç i quan Buja, të cilat zgjatën rreth tre javë, në tavolinë shpesh herë u ndërruan temperaturat.

“Herë-herë është ngritur temperatura e herë-herë ka rënë, por përgjithësisht delegacioni i Kosovës në Rambuje ka bërë punë të jashtëzakonshme dhe shumë të lodhshme por, me ndërgjegje të lartë se po bën diçka që të duhet të hapëronim rreth lirisë sonë”, kujton Ramë Buja në një prononcim për Albanian Post i cili po merrte pjesë në këtë konferencë si ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Veçanërisht ndërrimi i temperaturës së disponimit dhe temperaturës së delegacionit ka qenë atëherë kur na erdhi drafti i marrëveshjes që kishim punuar ditë të tëra por, na erdhi ai i ditës së parë”.

“Dhe kishte pjesëtarë të delegacionit që ishin të gatshëm ta nënshkruanin atë marrëveshje, ndërsa ne të UÇK-së ishim krejtësisht kundër dhe kërkuam një dyjavësh për të ardhur për të komunikuar, për tu marrë vesh me ata që ishin në istikame, në luftë drejtpërdrejtë, për ta bërë pastaj hapin që duhej bërë. Kjo ishte ajo kërcitja më e madhe pastaj të tjerat janë të parëndësishme”, tregon Buja.

Edhe pse negociatat teknikisht kishin dështuar, politikisht situata është më e komplikuar. Dështimi teknik i tyre kishte mundësuar suksesin politik të kësaj konference për Kosovën.

Ramë Buja që ishte pjesë e delegacionit kosovarë gjatë konferencës si komandant i UÇK-së, nuk ishte prezent në ditën e nënshkrimit nga pala kosovare, por tregon se Kosova ishte me fat që ajo marrëveshje nuk u nënshkrua nga pala serbe.

“Zakonisht këto marrëveshje për tu quajtur marrëveshje duhet të jetë e nënshkruar nga të dy anët, nga të dy palët. Por aty është nënshkruar vetëm nga njëra palë, për fatin tonë të madh. Dhe ky akt i nënshkruar pastaj pasoi me atë që ne kishim kërkuar e nënshkruar me kohë, bombardimet e NATO-s e që unë konsideroj që kjo për ne ishte fat i madh, sepse po të nënshkruante edhe Serbia atë marrëveshje, në atë konferencë ne mund t’i kishim punët më ndryshe dhe pak më ngushtë”.

Rame Buja, ish-Komandant i UÇK-së, perfaqesues i grupit shqiptar në Rambuje.

“Kur kemi shkuar ne në Rambuje të Francës ka qenë çështja e 10 pikave të pa negociuara që ishin propozuar, marrëveshja për pikat”, tregon Buja për Albanian Post, “dhe përsëri nuk arritëm ta bënim ashtu siç donim, por po ta nënshkruanin edhe Serbët, gjëja më e vogël që mund të ndodhte ishte çështja e dy forcave ushtarake që do të ndesheshin në kufi të Shqipërisë, shqiptaro-shqiptare. Pastaj do të ishte njëfarë autonomie, një referendum pas tre vitesh që do të mbahej e kështu, ishin gjëra tepër të rënda, veçanërisht për UÇK-në e pastaj te premtimet e amerikanëve e veçanërisht zonjës Albright”.

“Neve të UÇK-së na interesonte thjeshtë të përfitonim në kohë sepse nuk shpresonim shumë në realizimin e atyre gjërave që u parafolën e u parathanë”, tregon Buja.

“E veçanta, nëse mund ta quaj e marrëveshje”, tregon Buja, “se në mes të pjesës së parë dhe të dytë të konferencës, për të realizuar ose formuar qeverinë e përkohshme të Kosovës dhe u nënshkrua nga të tre liderët, Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova e Rexhep Qosja, por nuk u realizua në plotni ajo. E kjo gjë ka qenë diçka që na ka lënduar më së shumti në atë kohë, por në fakt ajo që ishte më e mira, intervenimi i NATO-s ndodhi. Dhe ky intervenim ndodhi pasi që ne e shpenzuam bukur gjatë kohën me ushtarët e UÇK-së me Gjeneralin Clark atëherë”.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ishte kundër marrëveshjes së Rambujesë atëkohë.

“Ka qenë kundër e pse ka qenë kundër ai mund ta tregoj këtë gjë sepse unë nuk dua ta komentoj por po them se kanë qenë kundër edhe disa qarqe, bile ka qenë kundër edhe një komandant i zonës atje ka qenë kundër Rambujesë, sepse nuk e dinte qëllimin dhe synimin e shtabit të përgjithshëm që bënte për të përfituar kohë nga kjo gjë, për të përfituar kohë për të armatosur ushtarët, për të qenë në pozitë më të favorshme pastaj për të realizuar luftën dhe lirinë vet, sepse në atë kohë nuk e mendonim se kishim tjetër rrugëdalje, nuk e mendonim se do të realizohej ndihma ndërkombëtares, siç u realizua sepse nuk e kishim përjetuar ndonjëherë në historinë tonë”, tregon Buja.

Në Rambuje, tregon Buja, u arrit shumë më shumë se që kishte të shkruar në marrëveshje, në favor të Kosovës.

“Asnjë gjë nga ajo konferencë nuk ka pasur nevojë të realizohet pasi që u realizua e Kosovës, pasi që u realizua shumë çka më shumë sesa që ishte e shkruar në dokumentet e asaj konference, të parealizuar të Rambujesë. Kur ndodhi intervenimi më 24 mars ne ishim plot disponim sepse erdhi ndihma ndërkombëtare dhe ishim të bindur se tani më kthim prapa nuk ka dhe ata do të realizonin qëllimin e tyre. Qëllimin tonë të përbashkët, tyrin dhe tonin”, shprehet Buja.

“Unë sot e ndjej veten të plotësuar”, përfundon rrëfimin Ramë Buja, për këtë pjesë të rëndësishme të historisë Kosovare, “sepse edhe si i burgosur politik, edhe si pjesëtar lirie edhe si pjesëtar i asaj konference të Rambujesë unë ndihem plotësisht i realizuar për faktin që isha pjesë e zhvillimeve të mëdha për vendim tim dhe çdo gjë që kam ëndërruar u realizua. Liria është kulmi i saj”.

Rambuje

Konferenca e Rambujesë

24 vite më parë, me 6 shkurt të vitit 1999 filloi punimet Konferenca e Rambujesë. E cila u quajt kështu për shkak të qytetit ku u mbajt takimi, në Rambuje të Francës, ndërmjet palës Kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve. Kjo konferencë synonte t’i jepte fund luftës në Kosovë dhe gjetjen e një zgjidhje për paqe afatgjatë.

Iniciues të konferencës, e cila zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich përfaqësues i shteteve të BE-së.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos t’u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedimeve që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme.

Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, ndërsa delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshje politike, marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli të bind presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s filluan bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së  miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore