Shqipëria

Rama zbulon çfarë foli me Kurtin, për krerët e UÇK-së në Hagë s’pati bisedë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zbuluar bisedën e tij me homologun nga Kosova, Albin Kurti, pas një takimi që të dy patën më 13 shtator.

Pavarësisht se raportimet ishin të një takimi të beftë e urgjent mes të dyve, Rama ka pretenduar se ai ishte planifikuar kohë më parë.

Ndër temat kryesore, ka qenë kriza energjetike dhe dimri i vështirë që e pret Ballkanin dhe gjithë Evropën, ku të dy palët kanë treguar mënyra se si mund ta ndihmojnë njëra-tjetrën, duke përfshirë edhe furnizim direkt me energji elektrike, në bazë të nevojave reciproke.

Teksa, gjykimi që po i bëhet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, nga ana e Gjykatës Speciale, nuk ka qenë një objekt bisede mes të dyve.

Kështu ka pohuar kryeministri shqiptar rreth çështjes.

“Kam një komunikimin të shkëlqyer, shumë të dashur e të ëmbël me Kurtin”, bëri me dije Rama, duke nënvizuar se nuk mungojnë edhe çastet kur mes të dyve shkëmbehen batuta e bëhet humor për tema të caktuara.

Mbi këtë premisë, kreu i Qeverisë shqiptare parashtroi se të dy liderët, kanë rënë dakord “që të mos bien dakord” për pozicione të caktuara, siç është qasja ndaj Serbisë apo nismës rajonale Open Balkan.

Këtu, përfshihet edhe qëndrimi ndaj presidentit serb, Alexander Vuçiç, me të cilin Rama ka shfaqur afrimitet në raste të shumta.

Mirëpo, mbi këtë gjë, ai ka shpjeguar se raportet me krerët e shteteve, përfshi Vuçiçin, e ka në bazë të interesave të shtetit shqiptar mbi të gjitha, teksa Kosova ka qëndrimin e saj, në bazë të interesave që ka vetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore