Rama zbret në Spanjë për turizmin, takon Pedro Sanchez

Vitjon Nina
23.01.2024 18:25
Loading Icons...

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka nisur të martën e 23 janarit një vizitë dyditore në Spanjë, ku mendohet se turizmi është qëllimi kryesor i takimeve të tij.

Një të tillë, e ka pasur edhe me homologun e tij spanjoll, Pedro Sanchez, por detajet e tij e ende nuk janë bërë me dije.

Sa ka mësuar Albanian Post, Rama shoqërohet në këtë vizitë nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, si edhe nga kryetarët e bashkive Durrës, Lezhë, Sarandë dhe Gjirokastër.

Kreu i Qeverisë shqiptare pritet të ketë edhe një takim me Mbretin e Spanjës, Felipe VI, pasi ky i fundit është organizator i një panairi ndërkombëtar të turizmit, i njohur si “FITUR 2024”.

Takime pritet që kryeministri të ketë edhe me përfaqësues të lartë të sektorit të turizmit, si edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili.

Shqipëria pritet që të prezantojë në këtë ngjarje të rëndësishme për turizmin, modelin e saj të diversitetit turistik nën kornizën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në harmoni me mjedisin.

Nën sloganin “Albania, all you need is here”, Shqipëria synon tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave pozitive e të qëndrueshme në turizëm që promovojnë destinacone të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.

Spanja është një nga vendet lider në botë për turizmin dhe vendi i dytë më i vizituar në Evropë nga turistët e huaj tashmë prej vitesh.

Me një tipologji të njëjtë të tërheqjes së turistëve, duke kombinuar plazhet e bukura me natyrën dhe kulturën, “mentorshipi” i Spanjës për të bërë që Shqipëria të rrisë aftësinë e saj thithëse të turizmit mund të jetë tejet i volitshëm për vendin ballkanik.

Po ashtu, në vitet e fundit, është parë një numër shumë i madh dhe në rritje i turistëve spanjollë në Shqipëri, duke llogaritur edhe se për të parën herë, toka e shqiponjave është vizituar nga mbi 10 milionë turistë, gjatë 2023-shit.

Po ashtu, edhe rreth kalimit nga një vend me kryesisht turizëm veror në një vend me 365 ditë turizëm, mund të shohë të arsyeshme marrjen e eksperiencave nga Spanja lidhur me politikat që duhen ndjekur për ta kthyer Shqipërinë në vendmbërritje madhore turistike.

Të fundit

Aktuale