Shqipëria

Rama vlerëson Sunak për shmangien e politikave ‘të çmendura’ të migracionit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka lavdëruar homologun e tij të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, për trajtimin e migracionit përmes kanalit të La Manche, me bashkëpunim praktik, në vend që të shpenzojë para për “gjëra të çmendura që nuk funksionojnë kurrë” si paraardhësit e tij.

Rama i tha Financial Times se rënia e kohëve të fundit e emigrantëve shqiptarë që përdorin varkat për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, ishte e lidhur drejtpërdrejt me një grup pune të përbashkët policor, të cilin ai pa sukses u kërkoi tre kryeministrave të mëparshëm britanikë të ngrinin.

Sipas marrëveshjeve, zyrtarët e zbatimit të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar u dërguan për të punuar në Tiranë, ndërsa oficerët shqiptarë intervistuan emigrantët në Dover, duke i kthyer ata që nuk kishin kërkesa legjitime për azil. Bashkëpunimi përfshinte gjithashtu agjentë të fshehtë nga të dyja palët.

Rama tha se ndryshimi në politikën britanike erdhi pasi ai vizitoi Londrën dhe u takua me Sunak në mars. “Sunak e bëri atë. E bëri brenda dy javësh”, tha Rama në një intervistë muajin e kaluar.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar vizitoi të hënën Doverin për të theksuar grupin e përbashkët të punës, i cili kishte ndihmuar në uljen e imigracionit shqiptar me rreth 90 për qind në tremujorin e parë të 2023.

Rënia vjen pas një rritjeje të emigracionit vitin e kaluar që shkaktoi grindje diplomatike midis Londrës dhe Tiranës, ndërsa mijëra shqiptarë u përpoqën të kalonin me varka gome.

Kreu i Qeverisë shqiptare, foli për zhgënjimin e tij me liderët dhe ministrat e mëparshëm britanikë, të cilët po shpenzonin para për “gjëra të çmendura që nuk funksionojnë kurrë” në vend që të krijonin një grup pune të përbashkët.

Ai tha se i kishte bërë me dije Boris Johnsonit, kur ishte sekretar i Jashtëm, që të dërgonte një grusht “djemsh të nivelit të lartë” nga zbatimi i ligjit britanik, të cilëve do t’u jepej akses i plotë në të dhënat në kohë reale dhe për të lejuar oficerët shqiptarë të vepronin në MB.

“Ide e shkëlqyer, tha ai, le ta bëjmë. Asgjë! Të njëjtën gjë i thashë Theresa May-it, Priti Patel-it, Liz Truss-it, të gjithëve: çfarë po bëni? Sillni këta njerëz – përndryshe ju po luftoni atje, dhe ne qëndrojmë këtu dhe nuk do të funksionojë kurrë”.

Mbretëria e Bashkuar nisi programe për të ndihmuar të rinjtë shqiptarë të gjejnë punë kuptimplotë në shtëpi dhe punoi në mënyra të tjera për të frenuar rrjedhën.

Por forcat policore të dy vendeve bashkëpunuan vetëm në një mënyrë të kufizuar dhe madje u përplasën diplomatike pasi sekretarja e brendshme Suella Braverman e quajti valën e emigrantëve shqiptarë një “pushtim” “kriminelësh”.

Rama u përgjigj se shënjestrimi i shqiptarëve “e bën retorikën e lehtë, por injoron një fakt të vështirë. Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri”.

Duke ikur nga një ndjenjë e përgjithshme varfërie dhe krimi, veçanërisht në cepin më të varfër malor verilindor të vendit, të rinjtë shqiptarë u joshën nga një vërshim në rritje trafikantësh për të kaluar në MB për një tarifë prej disa mijëra eurosh secili.

“Kam besim se në verë ndoshta shifrat do të rriten, por nuk do të rriten siç bënin më parë”, tha Rama. “Tani trafikantët e palës shqiptare kanë frikë. Ata kanë frikë të kapen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore