Shqipëria

Rama thotë se tashmë priten veç frytet nga Procesi i Berlinit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se tashmë ajo çfarë mbetet nga Procesi i Berlinit, është që të shihen frytet e angazhimit të gjithë vendeve pjesëmarrëse.

Këtë ai e theksoi gjatë një ministeriali euro-ballkanik të ministrave të Ekonomisë të rajonit dhe Bashkimit Evropian, i cili zhvillohet në Tiranë si paraprirje për Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë 16 tetor.

Sipas Ramës, qëllimi i këtij ministeriali dhe i gjithë procesit në tërësi, është ai i të menduarit jashtë kornizave dhe kjo është përpjekja e vërtetë e Procesit të Berlinit.

Po ashtu, kjo gjë është ajo e cila po ndihet edhe nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilët kryeministri i quan “miqtë më të mëdhenj të rajonit”.

“Shohim me mjaft interes se në BE ka një bindje shumë më të fortë për integrimin e Ballkanit sot”, nënvizoi kreu i Qeverisë shqiptare. “Jemi këtu me ministra dhe zyrtarë të shquar nga vendet e Ballkanit dhe BE-së, për të diskutuar rreth temave thelbësore të këtij procesi, që përfshijnë forcimin e ekonomive, duke përfshirë lidhjet me sferën e aktiviteteve ekonomike të BE”.

Ndër të tjera, ai shtoi se Samiti do duhet të diskutojë për diçka krejt të re, që pesë vjet më parë nuk përfytyrohej. Për një plan të BE-së për të mbështetur Ballkanin, duke u hapur në disa mënyra, që do ta shtyjnë rajonin më pranë unionit.

Kjo, pa harruar se çdo vend duhet të bëjë detyrat e veta dhe pikërisht kjo është arsyeja, se pse gjashtëshja ballkanike ka pritur kaq gjatë dhe ka pritshmëri kaq të larta nga Evropa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore