Shqipëria

Rama thotë se stabiliteti rajonal kërcënohet nga Rusia


Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka paralajmëruar për një rrezik real të kërcënimit të stabilitetit të rajonit nga Rusia.

Këtë, ai e theksoi gjatë një konferene për shtyp me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore.

Sipas Ramës, Ballkani Perëndimor ka probleme dhe nuk është e vështirë që të ndiqet logjika e të gjeturit harta apo mesazhe nga e kaluara, për të krijuar vatra zjarri.

Kjo, edhe sipas një logjike që ka ndjekur Vladimir Putin, bazuar në lavdinë e të shkuarës nuk do të jetojmë më në botën që njohim, por në një botë ku më i fuqishmi do të vendosë.

“Ajo që më shqetëson më fort është se jo të gjithë e kuptojnë sot se sulmi ndaj Ukrainës nga Putini nuk është vetëm ndaj Ukrainës, por ndaj rendit botëror të mbështetur në rregulla dhe bashkësisë së botës demokratike”, parashtroi kreu i Qeverisë.

Ai tha më tej se kjo është një sfidë, më e hapura ndaj vetë ekzistencës së BE-së. Jo sepse Rusia do pushtojë Gjermaninë, por nëse kjo logjikë e luftës së bazuar në të shkuarën dhe lavdinë e historisë fiton, “ne nuk do të jetojmë më në botën që njohim, por në një botë ku më i fuqishmi do të vendosë”.

Problemet rajonale janë të qarta sipas Ramës, por ato mund të shmangen duke vijuar punën e përbashkët dhe duke pasur vëmendjen te bashkëpunimi.

Diçka kjo, që e përkufizoi edhe presidenti Zelensky në fjalën e tij.

Zelensky paralajmëron Ballkanin: Provokimet vetëm përçajnë, na duhet bashkimi – Rusia po kërkon ta destabilizojë rajonin

“Na duhet të forcojmë institucionet tona, demokracinë e ekonominë tonë. Sa më shumë fuqi të përftojmë në këtë drejtim, aq më pak rrezikohemi nga ajo që është e pazgjidhur”, përmblodhi kryeministri.

Po, ka një rrezik të qartë e real për Ballkanin Perëndimor për shkak të agresionit rus, përmbylli ai, por askush nuk duhet ta shohë si një skenar ku ushtria ruse vjen këtu, por duke vënë në pikëpyëtje parimet e botës demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore