Shqipëria

Rama studentëve në Prishtinë: Jam i gjithi i juaji, tregohuni të rrezikshëm me pyetje


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ftuar në Organizata Studentore “ Reforma” për të bashkëbiseduar me studentët kosovarë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës një ditore në Kosovë përveç se ka takuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e akterë të ndryshëm nga politika kosovare, shefi i ekzekutivit shqiptar ka gjetur kohë të takojë edhe student nga Universiteti i Prishtinës, duke i konsideruar këto takime si të rëndësishëm dhe jashtë klisheve.

Rama, ishte i ftuar nga Organizata Studentore “ Reforma” në kuadër të Universitetit të Prishtinës ku iu është përgjigjur disa nga pyetjeve të studentëve të Fakultetit Filozofik.

“Unë kam shumë respekt për të rinjtë. Jam i gjithi në dispozicionin tuaj dhe shpresoj që të jeni sa më të rrezikshëm në pyetjet dhe çfarë keni për të thënë”, ka thënë Rama.

Gjatë bashkëbisedimit me një grup studentësh në Universitetin e Prishtinës, Rama iu është përgjigjur pyetjes së një studenteje në lidhje me situatën në Veri të Kosovës, duke e konsideruar vendimin e ekzekutivit kosovar si një vendim të drejtë, mirëpo sipas tij mbajtja e forcave speciale aty për një kohë të gjatë do t’i kthehej “bumerang”, Kosovës ashtu si kishte ndodhur me taksën 100 për qind për produktet serbe.

Sipas Ramës, tarifa 100 për qind e vendosur nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pasur mbështetjen e tij të plot e cila gjithmonë ishte një “klithëm” për t’u dëgjuar nga Kosova për padrejtësitë që ishin bërë asaj.

“Kosova ka të drejtë, çështja e targave është një çështje e legjitimitetit të sovranitetit të çdo vendi. Situata në veri është e qartë, por gjëja që më shqetëson është të mos ndodhi ashtu siç ndodhi me tarifën 100 për qind. Tarifa nga një ‘klithëm’ që i sensibilizoj të gjithë u kthye në një litarë që lidhi këmbët Kosovës dhe e bëri Kosovën të duket si delja e zezë”, është shprehur Rama.

Shefi i ekzekutivit shqiptar ka theksuar se tarifa 100 për qind pas një kohe u bë instrument i brendshëm politik në Kosovë dhe sipas tij, nëse Njësitë Speciale të Kosovës vazhdojnë të mbesin për një kohë të gjatë në Veri atëherë e njëjta gjë do të ndodhë edhe me vendimin e qeverisë për vendosjen e reciprocitetit me targa.

Ai bënë thirrje që ky ngërç politik ndërmjet dy vendeve të zgjidhet në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

Kryqeveritari Rama, gjatë bashkëbisedimit me studentët nga Kosova, ka folur edhe për nismën e “Ballkanit të Hapur” duke e konsideruar atë si “rrugën e vetme për të dal nga ngurtësia e pafundme e historisë”.

Ai madje e ka konsideruar këtë iniciativë si plotësuese e integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Besoj 100 për qind që rruga e vetme për të dalë nga inercia e pafundme e riprodhimit historisë dhe për të prodhuar mirëqenie është Ballkani i Hapur, ajo është pjesë komplementare në rrugën e integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”, ka shtuar Rama.

Rama u pyet edhe në lidhje me faktin se në qeverinë e kaluar kishte dy ministra kosovarë Gent Cakajn dhe Besa Shahinin, ndërsa këtë vit asnjë.

“Çfarë shkoi keq”, u pyet Rama nga studentët.

Rama theksoi me shaka se këtë vit ka vendosur që të bëhet kosovar vetë.

“Mandatin e tretë do të bëhem kosovar vetë. Mos e merrni me të qeshura se po e vendosa një gjë unë e bëj. Po s’do vij të bëj fushatë këtu për të marrë vota të mos ketë merak njeri as nuk do vij të votoj”, u deklarua ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore