Shqipëria

Rama: Spitali i Fierit publik që ditën e parë të funksionimit, pronarët do të kompesohen


Kryeministri Edi Rama, deklaroi në datën 11 janar, se spitali rajonal i Fierit do të jetë publik që ditën e parë të funksionimit të tij.

“Pronarët do të shpronësohen sipas ligjit në fuqi të Republikës së Shqipërisë në atë territor ku do të ndërtohet spitali”, shtoi kryeministri.

Në zonën ku do të ndërtohet spitali janë saktësisht 12-të familje. Rama tha se për të ndërtuar një spital publik shteti ka të drejtën të vendosë ku dhe të bëjë shpronësimin për interesin publik.

“Spitali do të jetë publik, jo privat. Do të jetë një spital i sistemit tonë publik shëndetësor. Do të jetë një spital ku Republika e Turqisë do të kontribuojë jo vetëm për ndërtimin, por edhe transferimin e teknologjisë. Për një periudhë kohe do të administrohet nga specialistë turq”, deklaroi Rama.

Në bazë të ligjit 7501, Neni 19-të, “toka bujqësore hiqet nga pronësia ose përdorimi i personave juridikë a fizikë, kur për nevoja të domosdoshme shtetërore bëhen ndërtime të ndryshme, dhe veprimtari të tjera ekonomike sipas miratimit të organit përkatës.

Kur për këto nevoja zihen toka që janë në pronësi të personave juridikë a fizikë, shteti është i detyruar t’i zëvendësojë me tokë tjetër të barazvlerëshme, ose të shpërblejë investimet që janë bërë”.

Bëjmë me dije se më 11 janar ka pasur protesta nga banorët e fshatit Daullas të Fierit, për ndërtimin e spitalit. Ata kanë deklaruar se toka është për to i vetmi burim jetese./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore