Shqipëria

Rama-sot-në Festivalin e Gazetarëve të Mesdheut


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot do të jetë i ftuari i veçantë në edicionin e XIII të Festivalit të Gazetarëve të Mesdheut, i cili po zhvillohet në Otranto të Italisë.

Kreu i qeverisë shqiptare do të jetë i shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj.

Ky festival – i cili nisi më datë 1 shtator – njëkohësisht do të jetë edhe si një përkujtimore e viktimave shqiptare të tragjedisë së Otrantos, e ndodhur më 28 mars 1997.

“Jam i lumtur që do të mirëpres kryeministrin Rama”, pat deklaruar kryebashkiaku i Otrantos, Pierpaolo Cariddi, më 11 gusht. “Një ceremoni ku do të përkujtohen viktimat e tragjedisë së madhe detare”.

Muajin e kaluar, ai deklaroi se mbetjet e anijes “Kater i Radës” do të “marrin jetë” në formën e instalacionit përkujtimor.

Për kryebashkiakun Cariddi, është e mrekullueshme sesi “një relikte e destinuar për shkatërrim, u kthye në një vepër arti”.

Bashkia e parë, e cila u erdhi në ndihmë personave të përfshirë në tragjedi, ishte pikërisht ajo e Otrantos. Kanali midis Vlorës dhe Otrantos shënjon edhe pikën më të afërt tokësore midis Shqipërisë dhe Italisë.

“Afërsia jonë me Shqipërinë është fakt, objektiv historik. Askush nuk mund ta vendosë në diskutim këtë gjë”, vijoi kryebashkiaku.

Aspekti tjetër i vizitës së Ramës, ka të bëjë dhe me inaugurimin e një doku-ekspozite për eksodin e madh të shqiptarëve, 30 vjet më parë.

Ekspozita do të quhet “IntegrAzione: 30 vite të eksodit të madh shqiptar në Itali”.

Ajo do të jetë e kuruar nga fotoreporterja pulieze, Vittoria Arceri. Ky festival do të përfundojë më 4 shtator.

Tragjedia e Otrantos

Tragjedia e Otrantos, më 28 mars 1997, u mori jetën të paktën 84 shqiptarëve, të moshave nga 3 muaj, në 69 vjeç.

Një përplasje me anijen e marinës italiane, Sibilla, do të rezultonte fatale.

Kjo ngjarje do të ishte në vazhdën e eksodit të madh të shqiptarëve drejt Italisë, i cili filloi që prej vitit 1991, me rënien e regjimit komunist.

Të dy drejtuesit e anijeve u dënuan për këtë ngjarje. Pyetje të mëdha u shtruan, mbi autoritetet dhe mënyrën e veprimit të një shteti, për të mbrojtur hyrjen e emigrantëve të jashtëligjshëm.

Ngushtica prej 56 kilometrash është tashmë një vend vajtimi në kujtesën historike të shqiptarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore