Shqipëria

Rama: Shtypi shqiptar nuk ka censurë, por legjitimitet të abuzimit


Arti dhe politika.

Ishte kjo kryefjala e bashkëbisedimin të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Amsterdam në qendrën e mirënjohur të debateve “De Balie”.

Në një retrospektivë, Rama u pyet për marrëdhënien e tij me artin dhe futjen në botën e politikës.

“Ka 20 vite që jam në politikën e ditës. Por po, jam marrë me art që tre vjeç dhe jeta ime ka qenë e lidhur me pikturën, me artin. Mendova se kur vendosa të hyj në politikë, kjo do të mbaronte, por nuk mbaroi”, tha numri një i Qeverisë.

Gjatë intervistës së tij, kryeministri e krahasoi politikën e sotme shqiptare me komunizmin.

“Regjimi bëri shumë të këqija, por një prej gjërave që komunizmi bëri dhe vazhdohet të bëhet edhe sot është vrasja përgjithmonë e nocionit të ‘tjetrit’”, tha Rama duke shtuar se ideja e të ndryshmes që është aty dhe ka një opinion tjetër u zëvendësua me idenë e armikut.

Për Ramën, “ne nuk kemi dalë ende prej kësaj” dhe “jeta jonë politike është akoma nën këtë atmosferë”.

Kryeministri u pyet për renditjen në vendin e 103-të mbi lirinë e shprehjes nga Reporterët Pa Kufij.

Rama theksoi se, kjo vjen vetëm prej qëndrimit të tij personal: ndonjëherë nuk mund të rri pa folur përballë abuzimit me lirinë e fjalës.

“Shihni vetëm për 3 ditë shtypin shqiptar dhe do e kuptoni se nuk ka censurë. Ka një legjitimitet të abuzimit me lirinë tënde në dëm të çdo individi”, shtoi ai duke ravijëzuar se nuk ka thënë ndonjëherë se Shqipëria është parajsa e lirisë.

BE dhe integrimi

Bisedës nuk kishte si t’i mungonte edhe integrimi evropian i Shqipërisë.

Rama ashtu siç ka theksuar shpesh u shpreh se Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë qëndrim dhe mos ua lërë në dorë politikanëve të merren me historinë, siç është rasti i Bullgarisë.

“Ne jemi Ballkani që vjen me disa telashe, ne duam të jemi pjesë e BE-së dhe më pas nëse vende si Bullgari në këtë rast e përdorin veton për të diskutuar historinë në nivele politike kjo është edhe më e ndërlikuar”, shpejgoi ai.

Kryeministri tha se përtej kësaj është se as “ne as MV nuk po trokasim në derën e BE-së për t’u bërë anëtarë”, por se “po pret vetë BE-në ta bëj këtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore