Shqipëria

Rama shpreson që baza ajrore të ndiqet me hapjen e bazës detare të NATO-s në Porto Romano


Kryeministri shqiptar, Edi Rama, shpreson që lajmit të mirë për hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, t’i pasojë edhe një lajm tjetër i mirë, i cili do të jetë ai i hapjes së bazës detare të NATO-s në Porto Romano.

Këtë ka kërkuar kreu i Qeverisë shqiptare gjatë fjalës së tij në inaugurimin e bazës së Kuçovës, duke falënderuar të gjithë edhe për durimin përpara hapjes së pikës strategjike të NATO-s në Kuçovë.

Falënderime të shumta nga ana e kryeministrit kanë shkuar për gjithë faktorët që ndihmuan në hapjen e kësaj baze, që nga vetë Aleanca, e deri te banorët e zonës, për të cilët mund të gjenerohet më shumë punë tashmë.

Për Ramën, kjo bazë shkon përtej kufijve tokësore në të cilët ajo gjendet.

“Sot jetojmë në epokë tjetër dhe Shqipëria gjendet në anën tjetër (atë perëndimore). Duke mirëpritur me krenari aleatët e saj në një aleancë që është në radhë të parë vlerash në mbrojtje të paqes dhe demokracisë”, përmendi.

Ai u shpreh i lumtur sot që një punë e nisur prej kohës arriti të përfundojë dhe këtu janë plot miq partner aleatë, ku falënderon ministrin Italian, që ka ardhur edhe me disa avionë luftarakë me vete.

“Dhe miqtë e aleatët tanë turq që për thuajse tre dekada mbajtën gjallë frymën e kësaj baze, që sot është transformuar dhe e gatshme si një bazë e re e NATO me një rëndësi që kalon kufijtë e Shqipërisë. Më shumë siguri për rajonin tonë”, përmbylli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore