Shqipëria

Rama shpreh keqardhje për Bashkimin Evropian: Fryma e deformuar e zgjerimit po shihet te Bullgaria


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehu keqardhjen e tij për udhëheqësit e Bashkimit Evropian.

Deklarata e tij erdhi gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Samitin e BE-së.

Fillimisht, kreu i qeverisë shqiptare zbardhi bisedën me Charles Michel, të cilit i kish thënë se tri minuta të mundësuara nga presidenti i Këshillit Evropian nuk ishin të mjaftueshme.

“Michel na tha se kishim 3 minuta kohë në dispozicion. Unë i thashë, që po të ishte ndryshe, do të mjaftonin dhe 30 sekonda, por nuk mjaftonin”.

Ndër të tjera, Rama theksoi se ndihej njëkohësisht mirë dhe keq mes tyre.

“I thashë se ndihesha mirë dhe keq se isha me ata. Mirë, sepse jemi evropianë, por keq se ne nuk mund të jemi këtu si evropianë, por si miq në një shtëpi të ndarë”, deklaroi kryeministri.

Tema kryesore, shtoi kreu i qeverisë, ishte Maqedonia e Veriut, e cila është kandidate ende pas 17 vitesh.

“Fryma e deformuar e zgjerimit, Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj”, tha Rama.

Sipas tij, vizioni i zgjerimit po kalon në pengmarrje.

“Fryma e zgjerimit ka kaluar nga vizioni i një komuniteti, te marrja peng e shteteve individuale. Sa herë ndodh një gjë në një shtet anëtar, atëherë vendoset në funksion ky mekanizëm. Është turp, ndërkohë që në oborr të Evropës ka një luftë”.

“Putin është shumë sëmurë, por Brukseli nuk duket shumë i shëndetshëm”

Rama përdori një krahasim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe “Bruksel-it zyrtar” gjatë fjalës së tij para mediave.

“Iu them që Vladimir Putin është shumë sëmurë, por ky vendi këtu nuk duket shumë i shëndetshëm”, theksoi Rama pas përfundimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Ai shtoi se tema kryesore e mbledhjes ishte Maqedonia e Veriut.

Kjo, edhe pse 17 vjet më pas është ende në pritje si kandidate për çeljen e bisedimeve.

“Ndryshoi emrin, por nuk bëri dallim. Imagjinoni Francën të ndryshojë emrin”, tha Rama.

Sipas tij, Shqipëria është prej tetë vitesh në pritje.

“Çështja e Bullgarisë është një turp, Një vend i NATO-s që merr peng një vend tjetër të NATO-s”, ravijëzoi sërish Rama.

Kryeministri u angazhua se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë lëvizur dhe do lëvizin për të ringjallur këtë frymë të Evropës.

“Shpresojmë që shekullin tjetër do të jemi anëtarë”

Duke përdorur tone ironie, Rama tha edhe se “shpresojmë që shekullin tjetër do të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian”.

“Ne do të vazhdojmë në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit, me shpresën se shekullin tjetër do të jemi anëtarë, dhe do të përballemi me një tjetër Bullgari, me një Bullgari të tretë”, tha ai.

Kryeministri solli në vëmendje dy faktorë si sulmi i një pandemie në shkallë globale dhe një luftë kërcënuese e cila mund të shndërrohet në konflikt global.

“As këto nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë”, shtoi Rama.

Sipas tij, autoritetet shqiptare kanë shumë për të bërë për të mbështetur idenë e presidentit francez Emmanuel Macron.

“Do ta vlerësonim shumë”, nënvizoi kreu i qeverisë, “nëse ky komunitet i Evropës ngrihet për të qenë bashkë si një familje e vetme”.

Kjo, pavarësisht se palët janë në kate të ndryshme, por në të njëjtën dhomë ndenjeje.

“Edhe Kosovën e keni marrë peng”

Rama ka sjellë në vëmendje faktin që Kosova gjithashtu është marrë peng nga udhëheqësit e BE-së.

“Edhe Kosovën e keni marrë peng që nuk e lejoni të lëviz lirshëm. Është e vetme pasi ishin nën diktaturën Jugosllave. Qysh kur u çliruan e mbajnë peng”, tha Rama.

Sipas kryeministrit shqiptar, kjo situatë duhet të marrë fund, pasi është i vetmi popull që nuk lejohet të udhëtojë në Evropë.

Sakaq, në përmbyllje të samitit BE-Ballkani Perëndimor, Rama ka reaguar në median sociale Twitter, ku garantonte se do të vijojë puna “për Shqipërinë si anëtare e mirë e BE-së”.

“Ne do të vazhdojmë dhe do të punojmë edhe më shumë për ta bërë Shqipërinë një anëtare të mirë të BE-së”, shkruante kryeministri.

Po ashtu, ai e përshkruante situatën, pas takimit me udhëheqësit e BE-së, si një “vend të bukur, me njerëz të këndshëm, me fjalë të bukura dhe foto të bukura”.

“Imagjinoni”, shkruan Rama, “sa më e bukur mund të ishte nëse premtimet e bukura do të pasoheshin nga një lajm i këndshëm”.

Në përmbyllje të reagimit, kreu i qeverisë theksoi se “ne shqiptarët nuk jemi aq të mirë sa të dorëzohemi bukur”.

Më herët, Rama e konsideroi bllokimin e Bullgarisë në përparimin e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian si një “turp”.

Deklarata erdhi, teksa mbërriti në samitin e posaçëm të Ballkanit me liderët e BE-së, të cilët ai i akuzoi gjithashtu për “impotencë”.

Ky samiti i parapriu një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Gjatë ditës së sotme, në ndërtesën e Këshillit Evropian u zhvillua dhe takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor, i cili përfundoi rreth orës 13:15.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Këshillit të Evropës, Barend Leyts, ndërsa u përmbyll me një foto familjare, si për të simbolizuar unitetin mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe krerëve të ftuar të Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore