Rama shpjegon pse e quajti ‘të neveritshëm’ dokumentarin e Report për Shqipërinë

Vitjon Nina
02.06.2024 20:07
Loading Icons...

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shpjeguar për median italiane Rai 3 – për të parën herë për vetë emisionin italian Report në këtë kanal transmetimi – se pse vendosi ta quante “të neveritshme” një seri lidhur me Shqipërinë, ku ngrihej përshtypja se shteti shqiptar është i kapur nga mafia.

Sipas Ramës, nuk ka të bëjë aspak me faktin se emisioni Report, ka vendosur të bëjë një reportazh për marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë sa i takon emigrantëve nga vendet e treta.

Nuk ka të bëjë madje as me faktin se emisioni ka vendosur që të trajtojë ecurinë e ngritjes së qendrave të emigrantëve në Shqipëri.

Por – thotë ai duke i qëndruar plotësisht pas deklaratës se emisioni ishte “i neveritshëm” – ka të bëjë me faktin që për një problem të brendshëm të Italisë, anatemohet Qeveria shqiptare në mënyrë aq të errët.

Kjo, për Ramën, deri në masën sa të hamendësohet se Qeveria italiane e Giorgia Melonit ka bërë marrëveshje “me një qeveri të errët, ku hyjnë e dalin personazhe tepër të zymta”.

Sipas kryeministrit shqiptar, këto gjëra që janë thënë në dokumentar janë të pavërteta dhe i gjithë dokumentari madje, ishte ndërtuar me gjysmë të vërteta.

Më tej, i pyetur për vetë marrëveshjen konkretisht, ai theksoi se ka qenë një kërkesë shumë miqësore e vetë kryeministres Meloni dhe Shqipëria nuk mund t’i thotë “jo” Italisë kur kjo e fundit i kërkon ndihmë.

Për më tej, vendi i vogël ballkanik që vetë e drejton, përshkruan Rama, ka bërë thjesht detyrën evropiane, edhe pse nuk mundet ta zgjidhë një problem të madh si emigracioni i jashtëligjshëm.

Madje ai edhe shtjellon se Shqipëria si një vend i tretë, ende jashtë Bashkimit Evropian, nuk është zgjidhja e gjithë problemit dhe as vendet e tjera si Shqipëria, të cilat janë partnere me Unionin.

Gjithsesi, mbeten pjesë e zgjidhjes së gjerë që e gjithë Evropa duhet ta gjejë me veten fillimisht e më tej me partnerët e vendeve të treta.

Po ashtu, kryeministri shtjelloi se edhe vende të tjera i kanë kërkuar më parë Shqipërisë ngritjen e kampeve të emigrantëve. Ato nuk janë pranuar dhe nuk do të pranohen ndonjëherë, shtoi ai.

I vetmi përjashtim ka qenë për Italinë, pasi futet në arsyetimin se mbetet një vend fqinj dhe sipas Ramës “Shqipëria dhe Italia praktikisht janë një”, në mënyrën se si ai i sheh gjërat.

Më pas, intervista është rikthyer në atë që përshkruhet nga Rai edhe si “narkoshtet”.

Por kjo sipas Ramës është krejtësisht qesharake, në kushtet kur vendi ka nisur zyrtarisht negociatat me Bashkimin Evropian dhe është një vend i monitoruar nga çdo anë prej strukturave evropiane. Ndaj, ai ngre pyetjen se “si mundet që një vend kandidat për në BE të etiketohet si një “narkoshtet”.

Shembujt janë edhe më konkretë në përshkrimin që bën kreu i Qeverisë shqiptare, duke përshkruar fjala bie se si porti i Roterdamit në Holandë është një zonë ku trafiku i drogës zhvillohet e përhapet më tej në gjithë Evropën.

Por Holanda nuk quhet narkoshtet në asnjë rrethanë, pavarësisht këtij fakti, teksa që Shqipëria të etiketohet si e tillë duket si fjalë goje sipas kryeministrit.

Mbi çështjen e vëllait të tij, Olsit, nga ana tjetër, i pyetur lidhur me faktin se edhe ai përmendet në emisionin e Report, Rama theksoi se edhe kjo qëndron në aspektin e “shpifur” të programit, pasi ai përmendet vetëm për faktin se është vëllai i kryeministrit shqiptar.

Rama shpjegoi më tej se si vëllai i tij tashmë është paditur në SPAK për dosjen e njohur si “Xibraka”, teksa nuk harroi të përmendë edhe faktin se vetë Olsi Rama, ka dorëzuar një padi për shpifje ndaj kreut të Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

Të fundit

Aktuale