Lajme

Rama shkarkon nënkryetaren e Prishtinës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiun


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe nënkryetarja Donjeta Sahatçiu

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar përmes një shkrimi në Facebook se ka shkarkuar nga pozita e nënkryetares Donjeta Sahatçiun nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila gjithashtu ka ushtruar edhe detyrën e drejtoreshës së Arsimit, pasi sipas tij, ka ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Sahatçiu.

“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, Donjeta Sahatçiu, nga pozita e nënkryetares dhe pozita e ushtrueses së detyrës së drejtores së Arsimit”, ka njoftuar Rama.

Në vend të Sahatçiut, Rama e ka emëruar nënkryetare të kryeqytetit dhe ushtruese e detyrës së drejtores së Arsimit, Jehona Lushaku – Sadriun, e cila sipas Ramës, është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale.

Ndërsa në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, ai ka njoftuar se ka marrë vendim që të bashkoj këto dy drejtori në një drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, Arbër Sadiki.

“Dua të falënderoj drejtoren e deritanishme të Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani për punën dhe përkushtimin e saj profesional. Sylejmani ka marrë përgjegjësinë e këshilltares për planifikim brenda kabinetit tim. Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga Doruntina Maloku. Ndërsa, drejtori i deritanishëm i Kadastrit, Donat Lushaku do të emërohet në pozitën e zëdhënësit të Prishtinës.

Po ashtu ai ka njoftuar se pas lirimit nga detyra të drejtorit të Shërbimeve Publike, ka emëruar Bekim Brestovcin si drejtor të ri, derisa ka shtuar se pres nga ai që të ndërmerr menjëherë të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie.

“Këto dy vite kemi punuar shumë së bashku me ekipin dhe pavarësisht sfidave, kemi filluar procesin e transformimit të Prishtinës, duke nisur projekte madhore dhe duke përgatitur plot të tjera që do të fillojnë këtë vit e që kanë për synim ndryshimet pozitive në qytetin tonë. Rrjedhimisht, kam marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës të Kryeqytetit”, potencoi ai.

Sipas Ramës, në funksion të përshpejtimit të transformimit të kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, do themelohet drejtoria për Transformim dhe në krye të saj është emëruar arkitekti Ilir Murseli.

“Një çështje tjetër që po preokupon shumë qytetarët e Prishtinës dhe ende nuk i kemi dhënë zgjidhje, janë qentë endacak. Andaj, sot kam kërkuar nga drejtori për Siguri dhe Emergjenca që të ndryshojë gjendjen në mënyrë substanciale deri në fund të këtij viti. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, për mua është një prej elementeve më të rëndësishme të qeverisjes.

Tutje i pari i Prishtinës ka treguar se procesi i transformimit të kryeqytetit kërkon punë e përkushtim të jashtëzakonshëm dhe se ky është një proces i gjatë në të cilin kërkohet konsistencë, vendosmëri dhe profesionalizëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore