Shqipëria

Rama: Rilindja urbane, instrument i rritjes ekonomike


Kryeministri Edi Rama, në një takim me banorët e Sarandës

“Rilindja Urbane, nuk është vetëm një projekt estetik, por edhe një instrument për të rritur ekonominë”.

Kështu i është përgjigjur kryeministri Edi Rama, pretendimeve të kundërshtarëve të tij politikë gjatë dy mandateve qeverisëse, se projekti i Rilindjes Urbane, është thjeshtë një fasadë.

“Shifrat e ekonomisë lokale në territoret ku është investuar flasin vetë”, deklaroi Rama. “Xhiroja ekonomike që bëhet aty tani, është e pa krahasueshme me çfarë bëhej më parë”.

Kryeministri ka qenë në Sarandë, në një takim me qytetarët, ku është pyetur mbi zhvillimin e projekteve të zonës. “Pavarësisht investimeve, Saranda dhe Vlora vazhdojnë të jenë kantiere ndërtimi. Jo të gjitha gjërat janë bërë si duhet në dy qytetet bregdetare.”, tha ai .

Kryeministri shtoi se “duhet të parafytyrojmë kantieret e ndërtimit në Thumanë dhe Fushë Krujë”. “Pamja atje është krejt e ndryshme nga tërmeti, por ka ende punë për të bërë. E njëjta gjë ndodh edhe me Sarandën dhe Vlorën”.

Kreu i qeverisë ka përmendur sërish faktin se investimi në Lungomaren e Vlorës, ishte ndër më të rëndësishmit për qytetin jugor. “Ai investim ka rritur vlerën e pasurive të paluajtshme”, theksoi Rama. “E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Sarandën”.

Përsa i përket pjesës më jugore të vendit, Ksamili është një çështje me rëndësi. “Do të ketë të njëjtin investim edhe Ksamili”, pohoi Rama. “Së shpejti fillon projekti. Duhet kuptuar që projekti do kohë. Ai i Ksamilit ka nisur përpara tre vitesh, por nuk mund të nxirren ekskavatorët menjëherë në terren. Procesi është më i gjatë se aq”.

Universiteti, porti dhe aeroporti i Sarandës

Kryeministri cilësoi faktin se investimet duhet të jenë të mirë menduara dhe jo në objekte që nuk sjellin zhvillim. Për këtë pjesë, ai iu referua filialit Sarandë të Universitetit të Tiranës, si “objekt që i shërben vetëm pedagogëve dhe jo studentëve”. “Pse duhet investuar në diçka që nuk sjell asnjë përftim?”, shtroi pyetjen Rama. “Kuotat e juridikut këtu mbeten të lira. Nuk ka kuptim. Është më mirë të investohet në agronomi dhe turizëm”.

Pikërisht për këtë çështje, kryeministri ka theksuar se agroturizmi dhe rijetëzimi i shtëpive, jep më shumë punë. Ky investim i drejtohet edhe atyre që kthehen nga emigrimi. “Nga vendi i fundit në rajon që thithte fonde nga BE-ja, jemi kthyer në vendin e parë”, deklaroi Rama.

Përsa i përket portit turistik, kryeministri e cilësoi si një investim që ka potencial për shndërrimin e Sarandës. “Është një investim qindra milionë euro-sh. Do të ketë jahte që do të rrinë aty. Do të ketë edhe një staf që do t’i shërbejë”, shtoi Rama.

Pjesë e zhvillimit të jugut do të jetë edhe ndërtimi i aeroporteve të Vlorës dhe Sarandës. “Fituesin për aeroportin e Vlorës do ta kemi në ditët në vijim”, tha kreu i qeverisë. “Covid-19 e bllokoi procesin dhe fondet e BE-së, por do të rinisë së shpejti”.

Për aeroportin e Sarandës ndërkohë, duhet pritur fituesi i Vlorës fillimisht. Gjithsesi, kryeministri e ka shpjeguar se Saranda do të jetë një hyrje turistike, ndryshe nga aeroportet e Tiranës dhe Vlorës, që do të jenë më komerciale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore