Shqipëria

Rama: Ruajtëm lumin e fundit të egër në Evropë, nuk pranojmë moral nga ndotësit më të mëdhenj


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në prezantimin e tre ideve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës.

Nga aty Rama u shpreh se nuk ka asnjë vend në Evropë, të paktën, që të ketë një Park Kombëtar, i cili e përshkon të gjithë trupin e vendit.

Ai theksoi se, “leksionet morale sesi duhet të sillemi me natyrën qeveria jonë nuk i pranon dot”.

“Po, patjetër duhet ruajtur, por më parë sesa të na japin neve leksione sesi ruhet një lum i egër duhet të kujtohen që të egër kanë qenë edhe lumenjtë e tjerë të Evropës, por ata i kanë zbutur për qëllime që natyrisht nuk kanë pasur të bëjnë me mbrojtje të natyrës”, tha Rama.

Ndërkaq, tre kompanitë pjesëmarrëse në garë janë Casanova+Hernandez Architecten, Roterdam, Holandë, CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO, Kopenhagën, Danimarkë dhe Ensamble Studio, Madrid, Spanjë.

Mes tre prezantimeve finaliste të përzgjedhura nga 16 studio pjesëmarrëse, juria e konkursit, e përbërë nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, CEO−n i Patagonia, Ryan Gellert dhe ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë do të përzgjedhë projektin fitues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore