Lajme

Rama: Pritet të marrim 360 mijë doza të vaksinës nga një shtet mik


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Rama është në pritje të 8 mijë e 190 dozave të vaksinave që do të vijnë nga kompania Pfizer.

“Do të marrim një tjetër sasi të vaksinës Pfizer. Brenda muajit mars do të bëhet lëvrimi i rreth 40 mijë dozave. Vazhdojmë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme më një shtet mik”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se pritet të finalizohet një marrëveshje me një shtet mik per marrjen e 360 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca.

“Vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik për një sasi prej 360 mijë dozash të vaksinës AstraZeneca. Jemi në komunikim intensiv me dy shtete të tjera me synimin që të shtojmë sasinë e vaksinave në mënyrë që të mos kemi në asnjë moment ndalim, të rrisim tempin pozitivisht me objektivin e shpallur që të vaksinojmë të gjithë popullatën brenda pak muajve. Kjo është ambicioze në kushtet ku ndodhemi”, shtoi Rama.

Kryeministri shtoi se 70% e vaksinave është shpërndarë te shtatë shtete. Ndërsa të gjitha shtetet e tjera që kanë pasur akses në dozat e mundshme kanë marrë pjesë apo kanë ndarë mes tyre vetëm 30% të sasisë. Janë dhe 140 shtete që nuk kanë ende asnjë dozë në dispozicion. Ai nënvizoi se “dozat që kemi marrë dhe po marrim kanë një rëndësi jetike për personelin mjekësorë. Raporti mes këtyre sasive dhe sasisë që kemi domosdoshmërinë të njerëzve që duan të vaksinohen është i zhdrejtë”.

Rama tha se kjo është një nga arsyet se përse nuk duhet të  ulim ritmin. Ai shtoi se jemi në përfundim të vaksinimit të gjithë banorëve të shtëpisë të moshuar dhe personelit të tyre dhe se ka nisur vaksinimi i personave mbi 80 vjeç.

Ndërkohë janë vaksinuar mbi 6 mijë mjekë infermierë. Do të vijohet me grupe të tjera të popullatës, por do të finalizohet vaksinimi i të gjithë personeli mjekësor.

Kryeministri u shpreh dhe për vaksinat ruse dhe ato kineze.

Shqipëria midis lindjes dhe perëndimit

“Askush të mos mendojë që vaksina kineze apo ruse është në tezga. Nuk është kështu. Edhe në një shtet që ka lidhur ose ka deklaruar në parim marrëveshje nuk ka marrë ende gjë. Sasitë për ato vaksina janë të vogla. Merrni numrin e vaksinuarve në Rusi. Sasitë që janë në dispozicion nuk janë të mëdha. Është çështje prodhimi”.

“Mbase është keqkuptuar ajo ç`ka unë kam thënë. Ne nuk kemi asnjë arsye në botë dhe asnjë mundësi që të vëmë në diskutim që të vëmë në diskutim integritetin e shkencëtareve kinezë apo rusë. Nuk kemi asnjë kontestim. Nga njëra anë janë vaksina të pa aprovuara nga OBSH-ja”.

Sjellim në vëmendje se më herët kryeministri Rama ka deklaruar se vendi ynë do të ndjekë linjën e perëndimit në raport me vaksinimin.

“Nuk mendojmë që duke qenë të linjëzuar me BE-në të kemi ndonjë precedencë ne radhën shumë të gjatë dhe për këto vaksina. Nuk është çështje gjeopolitike në sensin banal. Është një luftë politike, ekonomike, tregtare sepse nuk ka sasi. Është një luftë që varet nga niveli i drejtpërdrejtë i marrëdhënieve. Varet dhe nga raportet personale”.

“Mjaft të shohim Turqinë, Emiratet e Bashkuara, Arabinë Saudite. Vaksina ruse ka qenë e suksesshme. Rama tha se duhen parë vendet që kanë bërë kërkesa në atë drejtim. Këta vende nuk rezultojnë të kenë marrë ende vaksina”.

Rama saktësoi se nuk do të hedhim hapa formalë drejt këtyre dy burimeve sepse nuk ka arsye objektive që të na çojnë në rezultat.

“Dua të them që nga të gjitha të dhënat e deritanishme nuk kemi pasur asnjë rast lloj shqetësimi të personave të vaksinuar dhe nga eksperienca ime personale antitrupat zhvillohen në mënyrë shumë mbresëlënëse si rezultat i vaksinimit”.

Kreu i qeverisë e cilësoi një fatalitet politik evropian faktin që Maqedonia e Veriut detyrohet të kthejë sytë nga Kina dhe Rusia për të siguruar doza, duke përfshirë dhe vetë Kosovën.

Ai tha se duke e parë në dinamikë vaksinimin qeveria ka bërë të gjitha përpjekjet.

 

 

 

Albanianpost.com


Lajmet kryesore