Shqipëria

Rama pranon se Qeveria e Kosovës nuk ka kërkuar konsulencë nga Shqipëria për situatën në veri


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pohuar në emisionin “Opinion” se Qeveria e Kosovës nuk ka kërkuar gjatë ditëve të fundit të situatës së tensionuar të krijuar në veri të Kosovës, një konsulencë nga pala shqiptare lidhur me çështjen.

Sipas Ramës, ky është një vendim i Qeverisë kosovare dhe ai e respekton plotësisht diçka të tillë, duke shtuar gjithashtu se nuk ka dashur të ushtrojë trysni dhe të ndërhyjë në këtë çështje, pa pasur dëshirë nga pala kosovare të konsultohet me Qeverinë shqiptare.

Kjo pyetje iu shtrua kryeministrit edhe për faktin se ai ka qenë në dy organizime ndërkombëtare, ku ka takuar homologun e tij, Kurtin, si edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këto takime, siç ka shpjeguar Rama, ka pasur takime me të dy liderët, por tensionet në veri nuk kanë qenë objekt diskutimi.

Qëndrimi i tij zyrtar gjithsesi, është ai se e gjithë situata ka krijuar një “padrejtësi”, pasi po e reflekton Kosovën keq në gjithë sferën botërore.

Teksa, zgjidhjen e vërtetë, e sheh tek de-përshkallëzimi i situatës dhe kthimi i palës serbe në institucionet e qeverisjes vendore.

Kjo duhet të vijë përmes zgjedhjeve të reja dhe shihet prej kreut të Qeverisë shqiptare si e vetmja mënyrë për të rikthyer qetësinë në komunat veriore me shumicë serbe.

Sa i takon Kurtit, ky i fundit e ka gjithë situatën në dorë sipas Ramës dhe në kushte të tilla, nuk duhet të ketë komente mbi rreshtimin e ndërkombëtarëve, sa i takon kritikave që i kanë bërë atij.

Çështja është shumë delikate dhe ndaj duhet parë e gjitha me qetësinë dhe maturinë e duhur.

Aq e nxehtë sa është situata aktualisht, vetëm Kosova po del e dëmtuar për kryeministrin shqiptar, ku është e pamendueshme përfshirja e KFOR-it në ngjarje me agjenda të tilla nga të gjitha palët përftuese.

Rama: Prej 1999 Serbia s’është më kërcënim për Kosovën, është impotente

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore