Shqipëria

Rama: Po i ndreqim problemet që na kanë mbajtur larg BE – në fokus drejtësia


Shqipëria do të ishte tashmë pjesë e Bashkimit Evropian, nëse nuk do të kishte probleme në nivelet drejtuese, ka thënë kryeministri Edi Rama, në një intervistë për televizionin francez, France 24.

Kreu i qeverisë shqiptare ka vënë theksin tek reforma në drejtësi, si një nga çështjet më të rëndësishme tani për rrugën europiane të Shqipërisë.

Duke komentuar dënimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ai ka nënvizuar se “nëse ka një prokuror, i cili ka qenë i implikuar në korrupsion dhe është dënuar, kjo është shenjë shumë e mirë dhe e rëndësishme për shtetin e së drejtës”.

Rama u ndal dhe te integrimi i Shqipërisë në BE. Duke u shprehur se “në javën përpara pandemisë ishte vendosur të hapeshin negociatat dhe të vendosej Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Por tashmë dihet që në Bruksel kërkohet konsensus dhe duhet pritur dinamika evropiane”.

Problemi i vetëm sipas Ramës për marrjen pjesë në Konferencën Ndërqeveritare është mosmarrëveshja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Do të shohim nëse ai problem do të zgjidhet përpara vendimmarrjes apo jo”.

I pyetur për akuzat që janë hedhur kundrejt tij për korrupsion gjatë fushatës, Rama i mohoi duke përmendur raportin e OSBE/ODHIR-it.

“Kemi pasur raporte nga OSBE/ODIHR mbi këto çështje dhe janë shumë të qarta. E saktësojnë më së miri se fushatat kanë qenë të rregullta”.

Rama shtoi se fushata ka shkuar mirë dhe ndoshta kjo “mund të quhet një fushatë ndoshta pak më pasionante se në vendet perëndimore, por nuk ka asgjë përtej pasionit”.

Ai theksoi se ka pasur rekomandime për përmirësimin e fushatës nga OSBE/ODHIR, por nuk kanë pasur lidhje me shkelje.

Fushata e vaksinimit dhe shpallja e Shqipërisë ‘vend i sigurt’

Përsa i përket vendimit të heqjes së kufizimit për turistët shqiptarë nga vendet anëtare të BE-së, sipas Ramës, është shumë e rëndësishme për faktin se një pjesë të mirë e popullsisë shqiptare jeton jashtë kufijve.

“Jemi në majë të vaksinimit ndër vende edhe të Evropës, po ashtu edhe për shifrat e ulëta të rasteve të reja”, ka deklaruar ai, duke sqaruar arsyet e heqjes së kufizimeve.

“Kur flas për vaksinimin masiv dhe për ritëm vaksinimi, flas për raporte me ato të BE-së, ku Shqipëria është ndër vendet e para. Kemi arritur mbi 850 mijë të vaksinuar dhe për një vend sa i yni, është i mrekullueshëm”.

Ndërkaq ai shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor u lënë jashtë vaksinimit dhe “u gjendëm të vetëm, në një gjendje jo të mirë psikologjike. Ky ishte një mesazh se jemi përtej BE-së dhe jo pjesë e saj”.

Numri një i Qeverisë shqiptare bëri me dije se “jemi vendi i dytë pas Islandës për riskun më të ulët ndaj Covid”.

Ndërkohë ai u shpreh se kushdo që do të vizitojë Shqipërinë “mund të vihet atje pa teste, pa maska, gjithashtu nuk ka obligim për t’u karantinuar. Detyrimi i maskës është vetëm në ambiente të mbyllura por nuk ka kufizime që pengojnë turizmin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore