Lajme

Rama për të hyrat vetanake: Marrja e tyre nga Qeveria është joligjore, do ta luftojmë çdo tentim


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se me Qeverinë janë dakorduar që të hyrat vetanake t’u kthehen komunave, por në rast se ndodh e kundërta ai ka paralajmëruar se do të luftojnë çdo tentim që mjetet të u merren.

Duke thënë se “kjo formë është joligjore”.

“Të hyrat vetanake me ligj faktikisht i takojnë komunave, pra të hyrat vetanake të kryeqytetit janë të kryeqytetit janë të qytetarëve të kryeqytetit edhe nuk munden që të tjetërsohen ato. Çdo tentim normal që është jo ligjor edhe ne do ta luftojmë çdo tentim”.

“Patëm një takim të mirëfillte edhe me kryeministrin edhe me ministrin e Financave ku edhe në një farë mënyre u dakorduan që të hyrat vetanake të i’u kthehen, të lejohen për përdorim për projekte të cilat janë duke pritur për të mirën e kryeqytetit”.

Ndër të tjera u shpreh se kërkesa e tyre është që kjo çështja të merr fund për të mirën e qytetarëve.

“Shpresoj që kjo çështje do të marr fund për të mirën e qytetarëve dhe të gjitha komunave po shpresoj për brenda javës do t’i kemi ato të hyra vetanake që t’i përdorim për projekte të shumta të cilat i pret kryeqyteti edhe qytetarët këtu. Jam optimist që këtë çështje e kemi zgjedhur”, deklaroi ai për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Edhe Rama, bëri të ditur se për të zgjidhur këtë çështje Asociacioni i Komunave të Kosovës, i është drejtuar Qeverisë më një letër.

Sipas tij, përmes kësaj letre pritet që të lehtësohet procesi i bartjes së mjeteve të komunave.

“Tash e kanë kërkuar një letër të cilën unë personalisht, ne si kryeqytet i kemi dërguar para dy javësh tash po e kërkojnë një letër tjetër prej Asociacionit të Komunave  të Kosovës, edhe atë e kemi dërguar, i kemi kërkuar Asociacionit që ta dërgojë. Besoj që do të shlirohet procesi i bartjes së mjeteve te komunat përkatëse”, tha ai.

Të hyrat vetanake komunale të cilat janë mjete financiare që mblidhen nga taksat, tarifat, gjobat, pagesat për shërbimet publike të cilat pastaj dedikohen kryesisht vetëm për komunat dhe investimet në to, këtë vit po tentohen që të merren nga Qeveria e Kosovës, por kryetarët e komunave zotohen se nuk do të lejojnë, meqë kjo është në kundërshtim me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal dhe Ligjin e Financave Publike.

Mes pushtetit dhe opozitës vazhdimisht ka pasur përplasje për marrjen e të hyrave vetanake nga komunat.

Teksa të hënën kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte mbajtur takim me kryetarët e komunave që pas këtij takimi nga kryetarët u tha se kanë kërkuar zgjidhje nga Kurti për të hyrat vetanake.

Pas takimit që zhvilluan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarët e Komunave i janë drejtuar me kërkesë urgjente Qeverisë dhe Kuvendit për zhbllokimin e mjeteve vetanake të pashpenzuara të komunave nga vitet paraprake.

Komunat sërish kërkesë Qeverisë, duan kthimin urgjent e të hyrave vetanake

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore