Shqipëria

Rama për ‘Open Balkan’: Volumi tregtar u rrit me 24.8%, takimi i radhës në fund të majit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dalloi rëndësinë e nismës ‘Open Balkan’ duke zbuluar se volumi tregtar mes vendeve pjesëmarrëse u rrit me 24.8 për qind.

Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës në Panairin Ndërkombëtar të Verës “VinItaly 2023” në Verona.

Aty po prezantohen më tepër se 200 verërat më të mira nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut.

“Kjo ishte një mundësi për të ndarë pikëpamje dhe për t’i paraprirë takimeve të tjera, do të takohemi në fund të majit. Më pas do të kemi panairin e bukës në Shqipëri në fillim të vjeshtës dhe më pas panairin e verërave. Një tjetër pikë shumë e rëndësishme është se po punojmë për një pikëpamje strategjike për të forcuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian”, theksoi kreu i Qeverisë.

Sipas tij, këto organizime të radhës do të jenë një mundësi e shkëlqyer për të folur për bujqësinë, prodhimin e vlerave dhe sfidat apo ambiciet tona.

Të tre liderët ballkanikë u takuan më herët me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, ndërsa vizituan vendin ku po ekspozohen verërat nga vendet anëtare të iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Ndryshe, në kuadër të Ballkanit të Hapur, në Beograd, në shtator të vitit të kaluar u mbajt Panairi i Verës, ku morën pjesë 22 kantina prodhuese shqiptare të verërave si dhe kantina nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Panairi i Verës në Beograd shërbeu jo vetëm për promovimin e kantinave, por dhe si një urë lidhëse mes prodhuesve të rajonit dhe vizitorëve ndërkombëtar, shkëmbim të eksperiencës në prodhim dhe si një mekanizëm më shumë për të eliminuar barrierat në tregtinë rajonale mes tre vendeve.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik. Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka refuzuar pjesëmarrjen në çfarëdo cilësie – të paktën deri më tani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore