Shqipëria

Rama për fjalët e Macron-it: Prishtina t’i hapë rrugë dakordësisë për planin franko-gjerman, javët në vijim javë oportuniteti për Kosovën


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu rikthye fjalëve të presidentit francez gjatë vizitës së tij në Tiranë lidhur me çështjen e vizave për Kosovën.

“Duke diskutuar më tha që: ‘Unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë, nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë për planin franko-gjerman'”, u shpreh fillimisht kreu i Qeverisë.

Lajmi u bë i ditur për transmetuesin TV Klan, duke cituar intervistën për emisionin “Opinion”.

Ajo që është shqetësuese, sipas Ramës, edhe figura publike, edhe profile false u hodhën në një sulm ndaj Macron dhe ndaj tij, pas komenteve të shefit të Elysee-s.

“I këshilloj atyre që ta lexojnë mirë atë që tha sepse foli për disa javë në vijim që janë javë oportuniteti, pra duhet të ketë lëvizje në drejtimin e duhur, sepse nuk mund të merret peng e gjithë bashkësia e aleatëve, gjithë komuniteti euro-atlantik për t’i bërë karshillëk një përpjekje të tyre shumë të vendosur dhe të sinqertë për të zgjidhur çështjen e vetë Kosovës”, shtoi kryeministri shqiptar.

Macron, deklaroi më herët në konferencë për media bashkë me kryeministrin Rama, se Franca ka pezulluar procesin e liberalizmit të vizave, meqë Kosova nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë.

“Ju kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës, fjala nuk po mbahet pres të angazhohen dy palët. Është kusht i paqes në të gjithë zonën”, ka deklaruar Macron.

Ai ishte i prerë në qasjen që ka Parisi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka kërkuar respektimin sa më të shpejtë të planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve, zhvillimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve në komunat veriore, si edhe njohjen e asociacionit nga pala kosovare.

“Presim nga Kosova dhe Serbia, riorganizimin e zgjedhjeve në komunat veriore, pjesëmarrja e serbëve, njohjen e asociacionit nga Kosova. Pres që Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga Osmani dhe Kurti”, pohoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore