Shqipëria

“Shqipëria demokraci adoleshente, por BE-ja ka amnezi identiteti”


Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Financial Times, ka deklaruar se vetë ai është prova se Shqipëria po bën progres në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Zgjedhja e tij për të tretën herë në krye të vendit, është tregues se vendi po përqafon frymën e stabilitetit, tashmë pas tre dekadash demokraci.

“Shqipëria është një demokraci adoleshente dhe, si e tillë, ka probleme. Gjithsesi, ajo po rritet shpejt për të arritur maturitetin sa më parë të jetë e mundur”.

Kritikat mbi BE-në kanë qenë sërish të pranishme rishtazi në fjalët e kryeministrit.

“Nëse Shqipëria është adoleshente, Brukseli po vuan nga një lloj amnezie identiteti. BE-ja është forca më e madhe e të mirës që njerëzimi ka krijuar. Shpresoj që ata të rikuperohen shpejt, sepse pa ta, bota është një vend shumë më i keq”.

Në intervistë theksohet se zgjedhjet e shkuara në Shqipëri, janë shënjuar nga dhuna. Kjo, e shoqëruar edhe nga incidente fatale.

Gjithsesi, në 2021-shin, zgjedhjet ishin më të qeta. Pavarësisht kësaj, kundërshtarët politikë, nuk i kanë pranuar ato.

Por këtë, Rama e ka komentuar si ankesë justifikuese.

“Ata, të cilët nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë e fjalës, ankohen për lirinë”.

Për kryeministrin, mosangazhimi i opozitës në institucione politike është arsyeja e performancës së dobët të tyre.

“Opozita ka humbur betejën e pestë radhazi. Tre janë zgjedhje të përgjithshme dhe dy lokale. Kjo, sepse ata nuk janë humbës të mirë. Nëse je një humbës i keq, nuk mund të fitosh”, theksoi Rama.

Në plan të kryeministrit, tashmë është implementimi i planeve të zhvillimit. Ndër to, ai prej 10 miliardë eurosh, me në vëmendje turizmin. Plani i portit të Durrësit, në vetvete 2 miliardë euro, është gjithashtu pjesë e projekteve prioritare për qeverinë e re.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore