Shqipëria

Rama për “Beaux Arts”: Instalacionet…Cezanne dhe piktura që varet në zyrën e Macron


Revista mujore franceze “Beaux Arts Magazine” (Revista e Arteve të Bukura), e themeluar që në vitin ’83 i ka dedikuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, një reportazh të gjatë e të tërthortë mes artit të pandërprerë dhe rrugëtimit të tij të gjatë në politikë.

“Edi Rama mishëron të gjithë antagonizmat – ndajshtimet – një kolos i butë”, shkruan francezja, “një kafshë poetike, një njeri-artist”.

Artikulli fillon me një artist-kryeministër që nuk pushon së praktikuari artin e tij.

Edi Rama në moshë të re

Estetikisht, rrobat e gjera dhe të zeza i japin Ramës një vështrim guru-je të epokës së re, nënvizon revista.

Francezët dhe përqasja e tyre shkon deri aty sa e konsiderojnë kryeministrin shqiptar – një politikan të paklasifikueshëm – jo vetëm në Evropë, por edhe në të gjithë botën.

Edi Rama, ravijëzon francezja, nuk e fsheh krenarinë që një nga veprat e tij varet në zyrën e Emmanuel Macron.

Udha e kryeministrit, përmes kryebashkiakut, fillon nga Akademia e Arteve të Bukura ku Rama ishte profesor.

Edi Rama gjatë qëndrimit në Paris
Orvatja e Akademisë dhe ardhja e Cogeval-it

Para rënies së Komunizmit në Shqipëri, në Akademi bëheshin takimet e përhershme – që tanimë ishin të hapura për të gjithë.

“12 anëtarët e partisë u mblodhën brenda Akademisë së bashku me 600 studentë e akademikë, në sanatorium, për të ndjekur debatet”, rrëfen Rama për Beaux Arts.

Kryeministri tregon se asokohe të gjithë studentët e jo vetëm, donin të dilnin nga Shqipëria për të parë vepra arti.

Një moment interesant dhe zhvillimor brenda kuptimit të artit tek artisti Edi dhe piktori Rama ishte mbërritja e kuratorit Guy Cogeval në Shqipëri.

Në narrativën e Ramës, Cogeval nuk e kuptoi peshën dhe ndikimin imediat të konferencës së tij tek komuniteti i artistëve dhe pjesëmarrësve.

Ndërsa kuratori i Luvrit dhe një nga figurat më të rëndësishme të kohës, fliste për Impresionizmin apo Claude Monet, të gjitha këto skizma përngjanin me fjalën e një politikani para elektoratit të tij.

Anekdota e kësaj situate vjen kur Cogeval e pyet Ramën nëse kishin instalacione dhe atij i shkoi në mendje se po bëhej fjalë për energjinë elektrike.

Kuratori Guy Cogeval
Arti i kohës (pa)kohë

I kredhur në të kaluarën e tij, Rama shpjegon më tej se gjatë gjithë vitit – asokohe – në Shqipëri kishte vetëm një ekspozitë, në muajin nëntor.

Artistët sillnin veprat e tyre pasi zgjidheshin nga komiteti.

“Nëse një vepër ishte ‘e pranueshme’, por një nga personazhet e skicuar, për shembull, një portret ishte disi enigmatik, ishte e nevojshme të korrigjohej shprehia e tij dhe t’i kthehej buzëqeshja”, rrëfen Rama.

Në atë periudhë, ngjyra e zezë ishte e ndaluar sepse manifestonte pesimizëm.

Profesori i Arteve të Bukura – tanimë kryeministër – nënvizon se atëherë kishte vetëm një grup të vogël artistësh që ushtronin një profesion të lirë dhe nuk ishin nën detyrimin për të shkuar dhe punuar diku tjetër.

“Ata ishin mjeshtrat e mëdhenj”.

Skulptori Kristaq Rama
Joe Cocker

Pas “prishjes” së autoriteteve shqiptare me Bashkimin Sovjetik, në Shqipëri filloi “gjuetia e shtrigave”.

Rama ndalet tek historia e akuzave për komplot ndaj shtetit “hermetik” që shkoi shumë pranë kryeministrit shqiptar – tek nëna e shokut të tij.

“Shtëpia e tij u kontrollua dhe, në dhomën e djalit të saj, gjetën një kasafortë ku ishte ruajtur një disk i Joe Cocker, me foton e tij. Ai u arrestua, u akuzua për komplot kundër partisë, në bashkëpunim me një agjent të CIA–s”, sjell në vëmendje kryeministri.

Ky i fundit, pasoi një histori të mundimshme mes burgut dhe sprovave.

Një 18-vjeçar vuajti një dënim prej 14 vitesh, por jo sepse ishte simpatizant i Joe Cocker – motivacioni i asaj kohe, sipas tij, ishte familja me origjinë ruse.

Sigurimi i Shtetit komunist dhe një kopje e albumit të Joe Cocker
Cezanne

Nisur nga kushtet dhe gjendja e kohës, Rama tregon për një jetë klandestine dhe paralele njëkohësisht.

Shembulli më i qartë i kësaj kontradikte, ishte libri i Paul Cezanne (një prej piktorëve që bëri kalimin më të rëndësishëm të natyrës në kanavacë – përmes ndjesisë jo imitimit) që Rama dhe gjimnazistët e tjerë panë fshehurazi në tualetet e shkollës.

Libri ishte “huazuar” nga Biblioteka Kombëtare, sipas një marrëveshjeje mes tyre.

Dikush kishte marrë librin, ndërsa biblioteka ishte zbrazur.

Dhe radha për të parë ishte e tillë. Rama dhe shokët e tij kishin vetëm disa orë në dispozicion.

Dikush shikonte “shqisat” në ngjyrat e tretura të Cezanne e dikush bëhej syri i tretë i një ambienti që po manifestonte njëtrajtësisht kërshërinë dhe dëshpërimin.

Piktori i madh francez, Paul Cezanne
Edison Gjergo dhe frika e tij

Gjatë intervistës, Rama solli në vëmendje figurën e Edison Gjergos, i cili bëri tetë vite burg për një pikturë që shfaqte partizanët teksa këndonin natën.

Me një realizëm matine dhe grimca kubizmi, piktura e manifestoi Gjergon si “armik të shtetit”.

Edison Gjergo i përkiste pakicës katolike.

Ai ishte i tmerruar dhe shpresonte vetëm për një gjë – të merrej parasysh vepra e tij si një pikturë “mediokre” – titull që thjesht i zhbënte vlerën por i kursente vuajtjet autorit.

Edhe pse sekretari i partisë i asaj kohe e klasifikoi pikturën e tij në mesin e “mediokriteteve”, Gjergo ishte nën vëzhgim.

“Ku je këtu, në Shqipërinë socialiste apo në Shtetet e Bashkuara kapitaliste?”, rrëfen më tej historinë Rama.

Në ekspozitën e vitit të ardhshëm, Gjergo zëvendësoi draperinë që u shfaq pas pjatës së rrushit pranë një kodre me fshatarët që punojnë.

Edison Gjergo dhe portretizimi i partizanëve duke pirë gjatë natës

Por, kjo vetëm sa i përkeqësoi gjërat.

Për ekspozitën e tretë, ai pikturoi vetëm kodra, fshatarët punëtorë dhe një piktor me kapak në një cep të pikturës, i cili gjithashtu pikturon.

“Kur shikoj ngjyrat dhe furçat, kam pagjumësi”, shprehej Gjergo duke ndaluar së pikturuari nga frika.

Lëvizjet artistike| lëvizjet politike

Nga momentet finale të Komunizmit në Shqipëri, Rama drejtoi një lëvizje në Akademi që orientohej drejt “artit të ndaluar” dhe jo politikave të mirëfilla.

Hovi i kësaj lëvizjeje erdhi kur u organizua një koncert për të përkujtuar vdekjen e John Lennon, një muzikë e ndaluar deri në atë kohë.

“Sapo vendi u hap, unë u largova për të udhëtuar nëpër Evropë. Kam pikturuar dhe shitur vepra – të cilat më lejuan të vizitoja shumë qytete evropiane me emër”, kujton Rama.

Kthimi i tij në Shqipëri, ndodhi në vitin 1997, kur sapo kërkohej dorëheqja e kryeministrit.

Ky i fundit sapo kishte dalë nga burgu dhe telefonoi Ramën për t’i kërkuar të bëhej drejtori i televizionit shqiptar – post që ai e refuzoi.

Emërimi në postin e ministrit të Kulturës erdhi pasi i ati i tij ndërroi jetë në vitin 1998.

“Telefoni ra dhe dëgjova zërin e Kryeministrit që më pyeti: Zoti Ministër i Kulturës, doni të qëndroni në Shqipëri apo doni të ktheheni në Francë?”, shton Rama në tregimin e tij.

Kthimi i Edi Ramës në jetën politike të Shqipërisë si ministër i Kulturës
Ende një artist-politikan

Në hapat e tij të parë institucional, Rama kujton se si u përpoq të ringjallte kulturën në vend përmes kinemave të hapura apo koncerteve – por pa buxhet.

Gjatë zgjedhjeve bashkiake, ai u përball me një realitet të ri.

Hapësira publike të zaptuara dhe kantiere ndërtimi të përhapura nga ngutja e lirisë.

“Një mik italian, me të cilin ndava dyshimet e mia, më dërgoi një fragment të shkruar nga Machiavelli, i cili rrëfente të gjitha fatkeqësitë e Italisë … – Por çfarë dhuratë më bujare mund të të japë Zoti sesa të kesh mundësinë dhe aftësinë për të ndryshuar gjërat, dhe që çdo ndryshim i vogël të bëhet një ndryshim i madh? – dhe pata një blic!”, përshkruan Rama.

Për revistën franceze, kryeministri në petkun e kryebashkiakut tregon se Tirana kishte vetëm 78 drita rrugore që funksiononin dhe energjia ndërpritej gjatë gjithë kohës.

Rama e etiketon Tiranën – në këtë kohë – si dekonstruktivizëm total, në duart e dhjetëra mijëra arkitektëve anonimë.

E kjo periudhë do të prodhonte ndoshta ballafaqimin e parë të kryeministrit Rama me faktorin evropian në Shqipëri.

Në një godinë – fasada e së cilës ishte lyer me portokalli – mbikëqyrësi francez nga Bashkimi Evropian po ankohej sepse ngjyra nuk hynte në standardet e BE-së.

Rama zgjodhi të fliste në një konferencë për shtyp se komunizmi ishte zhdukur dhe tani po shqiptarët po vuanin censurën evropiane.

Pikërisht në atë moment “organizimi i tij” po funksiononte dhe qytetarët filluan të ndiheshin të respektuar nga institucioni.

Rama u rizgjodh me 70% të votave.

Edi Rama gjatë kohës që ishte kryebashkiak i Tiranës
Kreu i PS-së është kreu i “opozitës”

Përfshirja e parë politike e Ramës ishte problematika e hapur me kryeministrin e vendit – Fatos Nano.

“Ai ishte i pakënaqur për shkak të popullaritetit tim. Nano po përpiqej të bllokonte veprimin tim, duke mos më dhënë më fonde”, kujton Rama.

Rama garoi për kreun e PS-së duke marrë vetëm 6% të votave.

Dy vjet më vonë, socialistët humbën zgjedhjet, kryeministri dha dorëheqjen dhe Rama u bë kreu i opozitës.

Revista franceze citon fjalinë e kritikut të artit Hans Ulrich Obrist: “Arti i Edi Ramës është politika, dhe politika e tij është arti i tij!”.

Sipas kryeministrit shqiptar, zgjedhje për të ngjyrosur godinat nuk ishte një zgjedhje estetike.

Ajo ishte një zgjedhje politike që synonte të sinjalizonte ndryshimin, duke e ditur se nuk kishim para.

Rama në kundër-përgjigje të Obrist dhe “Arteve të Bukura” rivendikon një tjetër citim.

“Politika është lutja ime dhe arti im është lufta ime”.

Ish-lideri socialist dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano
Bashkëpunëtorë dhe vlerësues

Duke iu kthyer punës dhe mandatit si kryeministër, Rama tregon kjo pozitë ka pasuruar repertorin e tij me vepra spontane, më të pasura dhe më prekëse.

“Kur shkova në Elysee, për t’u takuar me presidentin francez Emmanuel Macron, ai më tregoi vepra moderne arti, librin tim në tryezë dhe gjithashtu një nga pikturat e mia”, kujton kryeministri.

Rama shton se ka dhe politikanë të tjerë që kanë punimet e tij; Francois Hollande, Manuel Valls dhe një ministër danez.

Politika e kulturës

Rama tregon se në këtë drejtim nuk është bërë sa duhet.

Kryeministri thotë për “Artet e Bukura” se janë ndërtuar dy muzeume shumë të bukur: një muze fotografie dhe një muze të artit bizantin.

Autoritetet shqiptare janë në procesin e restaurimit të Galerisë Kombëtare.

“Kemi dy teatro të rinj kombëtarë dhe një teatër të ri për fëmijë. Por do të doja të shtoja volumin e aktiviteteve artistike dhe të strukturave të mëdha”, shton Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Galeria Kombëtare e Shqipërisë

Dëshira e tij do të ishte rikthimi i pesë apo gjashtë artistëve të rëndësishëm për të jetuar në Shqipëri – duke organizuar diskutime me studentët, ligjërata, shfaqje.

“Ne po imagjinojmë atë që mund të zhvillojmë”, deklaroi kryeministri shqiptar në përmbyllje të intervistës së tij për “Beaux Arts Magazine”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore