Shqipëria

Rama nga Thumana: Këtë javë, banorët hyjnë në apartamentet e reja


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, “14 orë nga përvjetori i dytë i tragjedisë” së tërmetit, ka njoftuar se banorët e Thumanës do të hyjnë në apartamentet e reja, këtë javë.

Këtë lajm e ka bërë të ditur, pasditen e 25 nëntorit, pasi ka inspektuar nga afër punimet përfundimtare të apartamenteve dhe shtëpive individuale.

“Janë 433 familje që rikthehen në kushte fantastike”, është shprehur Rama, duke theksuar se “këto pallate i takojnë standardit të lartë”.

Ai tha se po bashkëpunojnë dhe me Drejtorinë Arsimore, për të krijuar hapësira pas-shkollore, për artet, zejet, teknologjinë.

Duke hapur kështu kurse, që fëmijët e Thumanës “të kenë mundësi të zhvillojnë talentet e tyre” dhe “një pjesë prej tyre të futen në tregun global të teknologjisë”.

I shoqëruar me ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, dhe me sipërmarrësin Behgjet Pacollin, Rama ka parë nga afër zonën e rindërtuar të Thumanës.

Ahmetaj tha se janë 178 apartamente të përfunduara në këtë zonë dhe 158 njësi individuale, të ndërtuara si kombinim i solidaritetit të investimeve të buxhetit.

Nga Fondacioni i Behgjet Pacollit janë ndërtuar deri më tani 18 apartamente, ndërsa nga Fondacioni Firdeus janë përfunduar 158 apartamente individuale.

Lideri i Aleancës “Kosova e Re”, Pacolli tha se “nuk kam mbështetur asnjë parti politike, por kam mbështetur idetë e mira”.

Duke falënderuar të gjithë kontribuuesit, sipërmarrësi Pacolli u shpreh se, idenë e kryeministrit, e ka përkrahur vetëm dy ditë pas tërmetit, për t’u siguruar qytetarëve “kolona mbi kokë”.

Sipërmarrësi Behgjet Pacolli

Ndërsa shprehu krenari që “ ka përkrahur qytetarët e Thumanës” dhe jo vetëm, Pacolli tha se do t’i vizitojë sërish qytetarët e Thumanës.

Thumana ka qenë një nga zonat e dëmtuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të 2019-s, ku humbën jetën 50 gra, fëmijë e burra të vendit tonë.

Më herët, Rama ka shkruar se kjo ‘qytezë’ do të përbëhet nga 278 apartamente në 14 pallate dhe 155 banesa individuale.

Ai shtoi se Thumana do të ketë infrastrukturë moderne, shëtitore, terrene sportive, hapësira të gjelbërta, si dhe shkollën e kopshtin “Ramazan Jangozi”, por edhe qendër komunitare në shërbim të banorëve.

“Punimet kanë ecur me ritme rekord e në tetor do të fillojë akomodimi i familjeve në banesat e reja, ndërsa në fund të vitit përfundon i gjithë siti, përfshirë objektet publike për të cilat po punohet paralelisht nga Bashkia, e ku do të përqendrohen Njësia Administrative, Qendra Shëndetësore e një pjesë e mirë e shërbimeve publike për qytetarët”, deklaroi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore