Rama në aktivitetin në SHBA: “Kush harron të shkuarën, i destinuar ta rijetojë”

"Ne shqiptarët e njohim dhimbjen e pashembullt të plagëve të se shkuarës"
SHFLETO
Rajmonda Basha
28.09.2024 11:54
Loading Icons...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar në SHBA për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e Hebrenjve, tha se dy shtetet kishin shpirt të ngjashëm.

“Për ata që kurrë nuk kanë qenë në Tiranë, ishte një bunker i ndërtuar për t’i qëndruar një sulmi, por sot një hapësirë të dedikuar viktimave të atyre që e ndërtuan. Bunkeri të kujton Yad Vashemin, brenda shkallëve me fotot e shqiptarëve të vrarë nga regjimi me shkronja neoni shkruhet “Ata që harrojnë të shkuarën janë të destinuar ta rijetojnë atë”.

Kreu i qeverisë tha se “ne shqiptarët e njohim dhimbjen e pashembullt të plagëve të se shkuarës dhe nevojën për të mos i harruar shkaqet e tyre”.

“Jemi dy shtete të vogla por me shpirt të madh. Besoj se çdo hebre i sapolindur është një bekim për botën. Duke iu rikthyer shpirtrave të vendeve tona, dua të them se shpirti nuk digjet në furra. Po shpirti triumfon gjithmonë. Shpirtrat tanë janë testuar në mënyra të mëdha e të vogla nga kundërshtitë e së shkuarës, por në fund ata prevalojnë. Dhe vendet tona do dalin më të fortë në çdo sprovë”.

Kryeministri Edi Rama vecoi unitetin mes komuniteteve fetare, si një bekim që vendi ynë gëzon, e që tashmë tha ai është i rrënjosur në ADN-në tonë

“Ky ishte natyrisht edhe rasti javën e kaluar, kur Presidenti Isaac Herzog u bë i pari president izraelit në histori që vizitoi Shqipërinë dhe provoi shijen e mikpritjes sonë. Shumë vonë për një ngjarje të tillë historike, por pikërisht në kohën e duhur po të mendojmë kontekstin historik të betejës me të cilën përballet sot kombi dhe shteti hebre, i cili lufton jo vetëm për të drejtën e tij të vetëmbrojtjes nga një formë e re e mbrapshtë nazizmi, por edhe për botën ku jetojmë, që të mos bjerë pre e përgjigjeve të lehta përballë një kërcënimi ekzistencial të hapësirës së lirë dhe demokratike që kemi ndërtuar të gjithë së bashku, pas makthit të Luftës së Dytë Botërore”.