Rama nderon medalistët olimpikë: Medaljet jo rastësore, Shqipëria jo më një vend që braktiset nga bijtë e vet

Romario Ismailaj
04.09.2024 10:43
Loading Icons...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur mëngjesin e 4 shtatorit në një ceremoni zyrtare në “Sallën e Hartave”, në Kryeministri, medalistët olimpikë kuqezi në “Paris 2024”.

Shqipëria ia doli të rrëmbente dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike të Parisit këtë verë, përkatësisht me Chermen Valiev dhe Islam Dudaev. Me këta dy të fundit që janë sportistë me origjinë ruse, por që garojnë nën flamurin kuqezi të Shqipërisë.

Medalja e parë, e rrëmbyer nga Valiev, ishte edhe e para historike e Shqipërisë në Lojërat Olimpike, të cilës më pas iu shtua edhe ajo nga Dudaev.

Për të nderuar arritjet e dy sportistëve që ngritën lartë flamurin kuq e zi, Rama i priti ata në një ceremoni zyrtare në Kyreministri, ku përveç ekipit olimpik shqiptar, morën pjesë edhe figura të tjera nga sporti dhe jo vetëm.

Valiev – Dudaev – Abakarov

Në fjalën e tij, ndër të tjera, Rama theksoi: “Këto medalje nuk janë të rëna nga qielli, por janë rezultat i një rruge të re transformimesh që kanë nisur në mbështetje të sportit”.

Vendosja e Fidel Yllit në krye të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), sipas Ramës “ka dhënë një partner jashtëzakonisht pasionant, këmbëngulës dhe që e ka kthyer marrëdhënien mes qeverisë dhe KOKSH në një marrëdhënie strategjike për një qëllim të përbashkët”.

Duke vijuar më tej, kryeministri Rama foli për dy sportistët që fituan medalje në Paris këtë verë, Valiev – Dudaev.

“Sot ne nderojmë dy sportistë të jashtëzakonshëm, të cilët nuk kanë lindur në Shqipëri, nuk e kanë filluar karrierën e tyre ne Shqipëri, por që kanë zgjedhur Shqipërinë për të vazhduar që të ushtrojnë pasionet e tyre dhe për të synuar majat më të larta të botës në disiplinën e tyre”, tha Rama.

“(Shqipëria) nga një vend që braktisej nga bijtë e vet, sepse nuk i garantonte as ushqimin dhe humbiste potencialet që ktheheshin në medalje për vendet fqinje, është kthyer në një vend që të adaptojë edhe sportistët që vijnë nga vende të tjera”, shtoi ai.

Fidel Ylli

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kreu i KOKSH-it, Ylli, i cili u shpret para të pranishmve: “Sot kemi dy medalje olimpike. Komiteti Olimpik nuk bën sport, por bën politika dhe diplomaci sportive në ndihmë të sportit. Kemi shpërblim për ata që sjellin medalje për Shqipërinë”.

Gjithashtu, Ylli kërkoi nga qeveria që kjo e fundit “duhet të kthejë në prioritet rritjen e buxheteve, këto buxhete që kërkojmë, do t’i kthehen Shqipërisë me më shumë medalje dhe me më shumë kampionë”.

“Sportistët do jenë promovuesit më të mirë të vendit tanë. Këto investime do duhen sot, nesër do jetë vonë, këto buxhete duhen sot, duhen tani, sepse koha ikën dhe nuk kthehet më. Këto dy medalje janë arritur me mund dhe sakrifica”, theksoi Ylli.

Chermen Valiev – Ogerta Manastirliu

Në fund të ceremonisë, sportistët dhe trajnerët që nderuan Shqipërinë morën shpërblimet sipas ligjit në fuqi për sportin.

Dy medalistët e bronztë Valiev dhe Dudaev u shpërblyen me nga 5 milionë lekë. Ata gjithashtu, si pjesë e Klubit Sportiv të Tiranës, u shpërblyen nga bashkia e kryeqytetit me nga një apartament.

Zelimkhan Abakarov, i cili përfundoi në vendin e tetë në dispilinën e tij, u shpërblye me 500 mijë lekë.

Leonard Çakmashi, trajneri i dyshes Dudaev – Abakarov, mori dy shpërblime sipas arritjeve të sportistve që ai trajnon, përkatësisht 2 milionë lekë dhe 200 mijë lekë.

Ermal Kryeziu, trajneri i i Valiev-it, u shpërblye me 2 milionë lekë.

Të fundit

Aktuale