Shqipëria

Rama nderohet në Prishtinë me çmimin “Çelësi i Qytetit”


Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, këtë të hënë të 10 qershorit i është dorëzuar çmimi “Çelësi i Qytetit” nga Përparim Rama, kryetari i komunës së Prishtinës.

Rama nëpërmjet një videoje të postuar në median sociale Facebook shkruan se ndihet i nderuar të marrë çmimin nga kryeqyteti tjetër i shqiptarëve.

“Kujtoj që në vitin 2008, kur Thaçi drejtonte qeverinë e parë të pavarësisë, i dhashë ‘Çelësin e Tiranës’ dhe sot jam unë që e marr çelësin si kryeministër i Shqipërisë”, tha Rama.

Ky i fundit theksoi se i ndjek me kuriozitet përpjekjet e kryetarit të komunës në kushtet e një kryeqyteti që rritet, që ka sfida të mëdha si çdo kryeqytet në botë dhe që ka nevojë për lidership dhe mbështetje të vazhdueshme nga të zgjedhurit e vet.

Nga ana tjetër, Përparim Rama vlerësoi punën e kryeministrit të Shqipërisë për punën e kryer në zhvillimin e hapësirës mbarëshqiptare.

“E çmoj edhe kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e pakursyer që ka dhënë në arenën ndërkombëtare për Kosovën dhe e shohim si arma jonë e rëndësishme me të cilin jemi të lidhur fort e duhet ta shfrytëzojmë çdo ditë, E përgëzoj për zhvillimin e hovshëm që ka bërë Shqipëria dhe populli shqiptar këto vitet e fundit”.

Ai shtoi se, “i gëzohemi faktit që Shqipëria është kthyer në një brand turistik, si një perlë e bukur, e mrekullueshme, që vizitohet nga e gjithë bota”.

Kreu i qeverisë shqiptare nuk mundi t’i shpëtonte pyetjes rreth faktin që kjo është hera e dytë që ai nuk u takua me Albin Kurtin.

“A ke ndonjë porosi për vëllain e vogël?”, ishte pyetja e një prej gazetarëve.

Rama nuk pranoi të përgjigjet për takimin, por konfirmoi se nuk do të ketë mbledhje të përbashkët mes dy qeverive.

“Vëllain e vogël e kam në Tiranë, është kryetar i Klubit Partizani. Me bëtë pyetjen me shpresën që do të me fusni në kurth, por jam mësuar më këto”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore