Shqipëria

Rama me presidentin e Izraelit: Bashkëpunimi ekonomik, izraelitët të mirëpritur në Shqipëri


Jemi këtu krahëhapur për të mirëpritur të gjithë izraelitët që duan të vijnë, turistë, sipërmarrës, artistë, shkrimtarë, qoftë edhe ata në moshë më të vjetër që duan të kenë shtëpinë e tyre në mes të Evropës.

Kjo u tha nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një takim me presidentin izraelit, Isaac Herzog, i cili viziton vendin për herë të parë.

Rama në deklaratën e përbashkët me Herzog u shpreh se bashkëpunimi ekonomik ka potencial të jashtëzakonshëm, për t’u zhvilluar me shpejtësi.

“Është afërmendsh që mund të bëjmë më tepër. Jam shumë i lumtur që kam presidentin këtu si mik”, theksoi Rama.

Sa i takon konfliktit, kryeministri tha se lufta kundër terrorit është më ë vështirë sesa nga ç’mund të shihet.

Rama theksoi  se Shqipëria ka qenë një mbështetëse e armëpushimit dhe çdo përpjekje për të sjellë në shtëpi pengjet dhe për të mirën e të gjithë njerëzve.

“Jemi sigurisht shumë të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku populli i Izraelit dhe populli i Palestinës jetojnë është shumë e rëndë dhe është absolutisht diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt. Jemi mjaft të vetëdijshëm se kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet”.

Sipas numrit një të Qeverisë e ardhmja do të jetë e ardhme e një Izraeli më të fortë dhe një rajon më të paqtë.

Presidenti izraelit: Kam ardhur në Shqipëri me biznesmenë të rëndësishëm, kjo tregon shumë

I nderuar tha se ndihet presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i cili është kreu i parë i shtetit Izraelit që viziton Shqipërinë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Është domethënëse të jem mes miqsh në këtë kohë kaq të dhimbshme për Izraelin”.

Ai theksoi se që nga sulmi i tetorit, “Shqipëria është vendosur në mënyrë të palëkundur në anën e duhur të historisë”.

“Po i afrohemi 1 viti që kur Hamasi sulmoi në mënyrë brutale Izraelin, kur mijëra terroristë hynë në vendin tonë, vranë egërsisht mijëra dhe rrëmbyen qindra izraelit dhe të huaj në Gaza. Që prej asaj dite të errët në tetor, Shqipëria është vendosur në mënyrë të palëkundur, është radhitur në anën e duhur të historisë”.

Herzog solli në vëmendje se si shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori të gjatë.

“Hebrenjtë e Evropës gjetën strehë në Shqipëri gjatë Holokaustit. Kemi shumë për të mësuar me njëri-tjetrin, i kënaqur që gjendem këtu dhe eksplorojmë lidhje të reja”.

E për këtë të fundit ai tregoi se me të ka anëtarë të rëndësishëm biznesi në delegacion dhe kjo tregon shumë për afërsinë mes dy vendeve.

“I kënaqur që pata mundësinë t’i diskutoj këto gjëra. Kombi shqiptar qëndroi krah nesh gjatë kohëve të vështira”.

Në fund presidenti izraelit e mbylli fjalimin në shqip.

Më herët Herzog u prit nga presidenti Bajram Begaj.

Bashkëpunimi dypalësh, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova, situata në Lindjen e Mesme dhe çështjet e sigurisë kibernetike ishin në fokus të bisedës kokë më kokë.

Begaj, e konsideroi këtë vizitë si një mundësi të shkëlqyer për gjetjen e mundësive të reja të forcimit të bashkëpunimit, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Shqipërisë në këtë drejtim.

Sipas Presidentit, të njëjtat ndjenja ndajnë edhe shqiptarët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë aspekt, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli është një vendim shumë i rëndësishëm gjeopolitik, me ndikim pozitiv rajonal.

Për sa i përket zhvillimeve në Ballkan, Begaj u shpreh se për shkak të pozicionimit gjeopolitik, rajoni është i prekshëm ndaj kërcënimeve, duke përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin, migracionin, kërcënimet hibride, sigurinë kibernetike dhe praninë e aktorëve të tretë destabilizues.

“Shqipëria, theksoi Kreu i Shtetit, i mbetet mirënjohëse Izraelit për kontributin e dhënë për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes kibernetike në rrethana shumë të vështira dhe kritike pas sulmeve kibernetike të Iranit në vitin 2022.

Gjatë takimit kokë më kokë, krerët e dy shteteve biseduan për zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, për të cilat Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore