Shqipëria

Rama mbyll takimin me liderët ballkanikë, vetëm Kosova jo e pranishme


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përmbyllur takimin e tij joformal me liderët ballkanikë, ku i pranishëm ka qenë edhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Por, munguese e madhe ka qenë Kosova dhe ajo çfarë më shumë bie në sy është fakti se kryeministri kosovar, Albin Kurti, e ka refuzuar ftesën e kreut të Qeverisë shqiptare për të ardhur në Tiranë.

Përndryshe, Kurti ka vendosur të jetë pjesë e një konference në Kretë të Greqisë dhe ku “paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, siç ka bërë me dije edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Sakaq, ai ka konfirmuar se Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, më 18 tetor.

Detaje nga mbledhja që Rama ka bërë me katër liderët e tjerë pjesëmarrës (Dritan Abazoviç i Malit të Zi, Dimitar Kovaçevski i Maqedonisë së Veriut, Borjana Kristo e Bosnjë dhe Hercegovinës si edhe Ana Bërnabiç e Serbisë), nuk janë bërë publikë ende ndërkaq.

Kryeministri Rama ndërkohë, ka publikuar vetëm një fotografi, ku ka vërtetuar se do të ketë një plan të ri të mbështetjes financiare ndaj Ballkanit Perëndimor nga ana e Bashkimit Evropian.

Pse nuk erdhi Kurti?

Kurti, gjatë turit të Ramës në Ballkanin Perëndimor, ishte i vetmi lider, i cili nuk pati një takim kokë më kokë me homologun e tij shqiptar, pavarësisht këmbënguljes së Ramës.

Përkundrejt kësaj, kryeministri kosovar ka thënë se ka mbetur peng i anulimit të mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë, rreth të cilës Rama kërkoi një format tjetër nga ai i parashikuari, duke parë edhe situatën tejet të tensionuar në veriun e Kosovës ato ditë.

Prej asaj dite, Kurti nuk ka pranuar takime (qofshin zyrtare apo jo) me Ramën, përpos atij në formatin e një mbledhjeje të dy qeverive.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka përkufizuar se kjo është një humbje e madhe, pasi Shqipëria është ngarkuar me rolin e veçantë të organizimit të Samitit të Procesit të Berlinit dhe mbi këtë përgjegjësi, shtohet edhe ajo për të pasqyruar gjithë avancimet, por edhe shqetësimet e vendeve, tek aleatët strategjikë të BE-së.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, kryeministri Rama arriti të bënte edhe një hap pas lidhur me nismën “Open Balkan”, të cilën e etiketoi si një nismë që e ka përmbushur misionin e vet dhe se Procesi i Berlinit, duhet të jetë ai që merr gjithë energjitë e nevojshme të gjashtë vendeve të rajonit, për integrimin e mëtejshëm evropian dhe paqen.

Kjo gjë gjithsesi, nuk e ka bindur sërish Kurtin për të pasur takime bilaterale me Ramën dhe mes tyre ka pasur thjesht shkëmbim replikash në distancë sa i takon situatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore