Rama mbledh sot dhe nesër kabinetin qeveritar
Rajmonda Basha
28.07.2023 8:04Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të mbledhë kabinetin qeveritar të premten dhe të shtunën e 28-29 korrikut.
Mbledhja do të zhvillohet në Tepelenë.
Dy ditë më parë ai mblodhi Asamblenë e e selisë rozë, nga ku miratoi edhe disa ndryshime të rëndësishme në fuqinë organizative të Partisë.
Numri një i Qeverisë, shkarkoi Damian Gjiknurin nga pozicioni i sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, rol që e mbante që prej shtatorit të vitit 2021.
Tashmë sekretar i PS-së është Blendi Klosi, i cili pritet ta mbajë deri në shtator të këtij viti, kohë kur Asambleja do të mblidhet sërish, për të miratuar figurat e reja në sekretariat.
Po ashtu PS-ja tanimë ka edhe një kryetar të Grupit Parlamentar.
Blendi Çuçi, ish-ministri Brendshëm, i cili u zëvendësua nga Taulant Balla, do të jetë kreu i ri Grupit të mazhorancës.
Në mbledhjen e Asamblesë, Rama theksoi se do të flasë për Qeverinë, kur kabineti të mblidhet.
Zërat kanë qenë të shumtë. Është aluduar për lëvizje të ndryshme.
Burime të Albanian Post thanë se ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u shkarkua fillimisht nga kreu i Qeverisë.
Edhe pse ajo publikisht nuk e pranon, e as eprori i saj, kryeministri Edi Rama, në një “Jo” të thatë për mediat, kur pyetën lidhur me çështjen.
Vetë ministrja i komentoi si thashetheme vere lajmet e qarkulluara rreth shkarkimit të saj.
“Janë thashetheme vere, nuk jam shkarkuar as kam dhënë dorëheqjen”, tha ajo nën trysninë e gazetarëve.
Pavarësisht këtij komenti të ministres, Albanian Post i qëndron raportimit se ajo është shkarkuar nga detyra, te cilën e ushtronte prej dy vitesh.
Madje AP gjatë ditës së sotme do të sjellë detaje të reja rreth shkarkimit dhe konfliktit mes vetë ministres dhe zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Por diçka do të jetë e sigurtë.
Rama do t’ju japë mesazhe të qarta ministrave, ashtu siç ua dha deputetëve apo edhe kryetarëve të bashkive.
“Kryebashkiakët të bëjnë punë të ndershme, të mos shkojnë në dyert e SPAK. Deputetet të angazhohen me shumë si në terren edhe në jetën parlamentare”.
Për të gjitha mbetet të pritet mbajtja e takimit dhe detajet e para të dala nga aty.