Shqipëria

Rama kërkon ndëshkime për krimet ‘barbare’ të zjarrvënies së qëllimshme


“Një bravo e madhe për Policinë e Shtetit që këtë verë u është qepur këmba-këmbës zjarrvënësve, duke arritur t’i kapë dhe çojë prapa hekurave”.

Kështu është shprehur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në Facebook mbi situatën e zjarreve në vend.

Për zjarrvënësit në pyllin me pisha në Laç, Rama ka apeluar në adresë të gjykatësve në rrethe që të mos vazhdojnë me mosndëshkimin e një krimi “barbar” si ky.

Ai ka përsëritur po ashtu se një krim i tillë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg.

Sakaq, ka falënderuar trupat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile që kanë rritur ndjeshëm nivelin e performancës gjatë këtij sezoni turistik, “duke e mbrojtur me profesionalizëm e shpirt sakrifice pasurinë e paçmueshme natyrore”.

Si dhe që kanë ulur në mënyrë të konsiderueshme dëmet potenciale të këtyre “krimeve të neveritshme në verbërinë, shpirtligësinë, marrëzinë e tyre”.

Ndërkohë, Niko Peleshi ka bërë me dije se Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, kanë bërë të mundur shuarjen përfundimtare të vatrave aktive të zjarrit në fshatin Delbnisht, në Njësinë Administrative Milot, bashkia Kurbin.

“Në kurorën e qytetit të Laçit, afër Kishës së Shën Antonit, aty ku situata ishte tejet kritike qe prej ditës së djeshme, vatrat e zjarrit janë shuar përfundimisht”, ka treguar ai.

Momentalisht mësohet se situata është e qetë dhe po monitorihet nga punonjësit e zjarrfikëses dhe shërbimit pyjor.

Po ashtu është bërë e mundur shuarja e një vatre zjarri pranë superstradës Milot-Lezhë.

Në fshatin Treblovë, në bashkinë e Selenicës të qarkut Vlorë, zjarri është arritur të shuhet plotësisht. Fal ndërhyrjes në kohë me helikopter u bë e mundur shpëtimi i 4 shtëpive.

Ndërkaq, Peleshi ka bërë me dije se po punohet me intensitet për mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatin Jarua, bashkia Fier ku është shmangur rreziku për banesat.

Në fshatin Sinanaj, në bashkinë Tepelenë, punohet nga terreni për izolimin e vatrës së zjarrit.

Puna vijon edhe në fshatin Grazhdan, në bashkinë e Finiqit për normalizimin e vatrës pas riaktivizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore