Shqipëria

Rama: Kemi marrë goditje të rënda, por vazhdojmë përpara


“Kemi marrë goditje të rënda dhe jemi përballur me sfida të mëdha. Pavarësisht krizave reale dhe të thella nga tërmeti deri tek pandemia dhe pengesave artificiale të shumta nga politika, ne kemi vazhduar të shkojmë përpara”.

Ky ka qenë mesazhi me të cilin e nis javën e fundit të shkurtit kryeministri Edi Rama për ndjekësit e tij në Facebook.

Rama e nis, duke thënë se “e di që një pjesë e popullit janë të pakënaqur”. “As unë s’jam i kënaqur, jo sot por asnjëherë”, cilëson kryeministri. “Por mos harrojmë çfarë kemi hequr në çdo hap në këto kohë të mallkuara”.

Ndër arritjet e mandatit të dytë, Rama përmend rritjen e pagës dhe rrogave. “Paga minimale është rritur me plot 36%. Bluzat e bardha dhe mësuesit paguhen sot shumë më mirë”.

Ndër të tjera, kryeministri përmend taksën zero për afro 100 mijë biznese të vogla. Aplikimi për naftën pa taksa për 70 mijë fermerë ishte gjithashtu pjesë e citimeve të tij. Kantieret e ndërtimit, sipas kryeministrit, “janë sot më të shumtë se asnjëherë”.

Videoja vetë, ishte filmuar në kantierin e ndërtimit të rrugës së Unazës së Re, njohur ndryshe si hyrja perëndimore e Tiranës. Për këtë investim, Rama ka qenë shumë i kritikuar, mbi të gjitha pas protestave të banorëve të Astirit për prishjen e shtëpive të tyre në bazë të planit urbanistik.

Kreu i qeverisë e mbyll videon me sloganin e kohëve të fundit: “Nuk ka kohë për pushim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore