Shqipëria

Nga legalizimi i kanabisit deri te ish-ministrat e arrestuar, Rama flet për aktualitetin


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbrëmjen e 7 prillit ka deklaruar se legalizimi i kanabisit në Shqipëri do të bëhet vetëm për arsye mjekësore.

Këtë deklaratë, kreu i qeverisë e dha gjatë një interviste për mediat shqiptare mbi të rejat e aktualitetit dhe situatën politike në Shqipëri.

Rama shtoi se bimët do të ruhen në kushte shumë strikte laboratorike me survejim – “super të kontrolluar dhe të certifikuar”.

“Produkti do të shkojë për eksport ose mund të përdoret këtu industria e përpunimit (ky është synimi)”, tha ndër të tjera Rama.

Gjatë intervistës u soll shembulli i Maqedonisë së Veriut, ku legalizimi i kanabisit mjekësor ka dështuar.

Legalizimi i kanabisit në Shqipëri, përfitimet dhe rreziqet – A2 CNN

Ndërkohë kreu i qeverisë u përgjigj i prerë se, “në Maqedoni nuk ka qenë një dështim”.

“Janë shumë vende që e kanë legalizuar dhe ka rënë vlera e produktit bazë – njësoj si produkte të tjera bujqësore. Shumë e rëndësishme është mënyra se si kultivohet dhe se çfarë cilësie ka produkti bazë për ta eksportuar”, vijoi ai.

Anëtarësimi në NATO

Rama nuk i kurseu ironitë për opozitën duke theksuar se Shqipëria është anëtare e NATO-s falë SHBA-ve dhe jo Partisë Demokratike.

“Që të jemi të qartë fare, Shqipërinë në NATO nuk e anëtarësoi Partia Demokratike sepse këto janë disa mite shumë qesharake. Shqipërinë në NATO e anëtarësuan SHBA-të, e morën dhe e futën me forcë në NATO për të gjitha ato arsye që i dimë”.

Sot 12 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO - Tv Klan

Qeverisja e Ramës dhe ministrat e arrestuar

Sa i përket dy ish-ministrave të qeverive të Ramës të cilët janë arrestuar për shpërdorim detyre – ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i dënuar me 3 vite e katër muaj burg dhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, së fundmi prapa hekurave edhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako, për detyrën e tij si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedit për çështjen e inceneratorëve – theksoi se kjo ka ardhur pikërish falë reformës në drejtësi.

Sipas tij kjo e fundit nuk kursen ministra dhe askënd që shkel ligjin pavarësisht se Partia Demokratike ka qenë kundër saj.

Duke e krahasuar qeverisjen e tij me kohën kur pushtetin e kishin demokratët, Rama tha se, “ndryshimi mes periudhës kur qeveriste Sali Berisha dhe kohëve që jetojmë është edhe fakti se drejtësia ka marrë sot si të akuzuar apo edhe të dënuar ish-ministra të tij”, vijoi numri një i qeverisë.

Saimir Tahiri

Duke folur për Bllakon Rama u shpreh se, “është një person që për sa i përket pjesës së dukshme të punës, nuk ka asnjë të sharë”.

Ndërsa sa i përket arsyes së arrestimit të tij, Rama ravijëzoi se, “këto janë rezultate të një hetimi të thelluar, prandaj e kemi ngritur SPAK-un ne. Këtë çështje e heton SPAK dhe do vazhdojë ta hetojë deri në fund”.

Ai ritheksoi për të disatën herë se, “nuk është përgjegjësia ime nëse një ministër lajthit e bën ato gjëra. Kush do të fusë duart në xhepat e të tjerëve të vazhdojë”.

Lefter Koka
Kriza energjetike

Duke u ndalur te kriza energjetike Rama u shpreh se vendi ynë nuk rrezikon për kufizim të energjisë elektrike.

“Deri tani nuk shohim arsye për të pasur. Do qëndrojmë fortë për të mbështetur njerëzit”.

Sa i takon kësaj kreu i qeverisë tha se problemi kryesor i kësaj krize është furnizimi.

“Në rast se do të ketë në energji një problem të tillë, do iu themi njerëzve. Deri tani nuk është moment që do të reflektohet në kufizime”.

Ndërkohë ai tha se arsyeja se pakësimi i ujit në Hidrocentralin e Fierzës ka ardhur për shkak të thatësirës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore