Shqipëria

Denaj: Projektet e BE-së, 10 milionë euro për bizneset inovatore


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takimi me bizneset Start Up dhe sipërmarrjet e reja, të cilët kanë përfituar nga skemat mbështetëse.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka shpjeguar gjatë takimit, se Shqipëria është prej dy vitesh pjesë e një programi me qëllim nxitjen e inovacionit.

Sipas Denajt, projekti ‘EU for inovation’ që mbështetet nga BE-ja, ka ofruar për nxitjen e inovacionit, 6 milionë euro në fazën e parë dhe 4 milionë euro në fazën e dytë.

“Kjo konkretizon një angazhim me gati 10 milionë euro për të nxitur bizneset inovatore”, shprehet Denaj.

Thirrja për nxitjen e biznesit, për raundin e katërt, ka filluar që nga data 15 shkurt.

Denaj ka shpjeguar dhe qëllimin e këtyre projekteve inovative.

“Në thelb është lidhja e të gjithë punës së nivelit lokal me atë rajonal dhe ndërkombëtar”, u shpreh ministrja.

Projektligji për start up-et e inovacionit, sipas Denajt, përveç se e nxit më tepër atë, gjithashtu ndihmon dhe në lehtësimin e mendësisë se çfarë është start up-i i inovacionit.

Rama: Jemi i vetmi vend që ka kaluar në parlament legjislacionin për monedhën digjitale

Rama ka treguar se Shqipëria është “i pari vend” që ka arritur të kalojë në parlament një legjislacion të plotë, për të rregulluar gjithë aktivitetin e monedhës digjitale.

“Kjo nuk lidhet drejtpërdrejtë me pagesat digjitale. Për këtë jemi në proces që do të jetë shumë i shpejt për shkak të kohës. Ky është një objektiv për të kaluar shumë shpejt në atë fazë dhe mundësia është për shkak të teknologjisë”, ka deklaruar Rama.

Gjithashtu Rama tregon se Biblioteka e Korçës “po bëhet gati” të vihet në dispozicion të kurseve ndërkombëtarë të kodimit.

“Në Korçë është hapur programi fleksibël për mbështetjen e start up-eve njësoj si në Shkodër. Në Vlorë jemi duke përgatitur transformimin e asaj godinës fantazëm në një qendër të komunitetit për kodimim”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore