Shqipëria

Rama: Integrimi evropian kalon përmes integrimit rajonal


Integrimi evropian kalon përmes integrimit rajonal dhe ky është fakt.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas zhvillimit të Samitit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Nga Tirana, Rama ka zgjedhur të vërë në dukje se qasja e BE-së ndaj rajonit ka ndryshuar.

Sipas tij, për herë të parë liderët e Ballkanit Perëndimor bien dakord se Bashkimi Evropian nuk po bën vetëm punën e zakonshme, por po afrohet me rajonin.

Ai shtoi se, Plani për Rritjen Ekonomike është një nismë e konceptuar jashtë kornize për të ndihmuar Ballkanin.

“Ky është rezultat për tu kuptuar. Kemi arritur këtë objektiv shumë të rëndësishëm për të futur në procesin e integrimit diçka të re”.

Për numrin një të Qeverisë, plani është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen ë në BE, instrument që do ta bëjë këtë proces të prekshëm për njerëzit.

Rama tha se “kemi shumë njerëz që punojnë jashtë dhe duke punuar jashtë, për çdo para që ata dërgojnë kostoja e transaksionit është 6 herë me lartë krahasuar më koston e vendeve anëtare të BE-së”.

Por me planin e rritjes “do të na lejojë ta çojmë këtë kosto me të njëjtin nivel me shtete anëtare. Vetëm më këtë do të kursejmë gjysmë miliardi euro. Do të kursehen nga xhepat e qytetarëve tanë dhe nga kostot e bizneseve tona”.

Rama u shpreh se pengesa më e madhe për zbatimin e këtij plani është mendësia e vendeve të Ballkanit.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “deri tani shohim vullnet të mirë, pasi deklarata e përbashkët është miratuar nga të 6 vendet”.

“Të shohim nëse do të jemi në gjendje t’i bëjmë gjërat së bashku, nëse nuk do të jemi në gjendje t’i bëjmë gjërat të gjithë së bashku do të dështojmë të gjithë, sepse çdo gjë është e ndërlidhur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore