Shqipëria

Rama inspekton rindërtimin në Kamëz


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, inspektoi në Bathore zonën ku po punohet me ritme të larta për rindërtimin e shtëpive të prekura nga tërmeti.

Banorët u shprehën të kënaqur nga përkrahja e qeverisë me procesin e rindërtimit.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, pohoi se 130 njësi individuale janë në proces rindërtimi.

Kryeministri zhvilloi biseda dhe shkëmbeu batuta me banorët, të cilëve po u rindërtohen shtëpitë duke cituar shprehjen e Andon Zako Çajupit.

“Për punë janë vetëm gratë se burrat janë për llafe”, tha Rama ndër të tjera.

“Deri në pranverën e ardhshme, s’do të ketë më gjurmë tërmeti”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi se në fazën e parë po ndërtohen 35 shtëpi. Në total po ndërtohen 75 shtëpi.

Kreu i qeverisë tha se po bëhet maksimumi dhe se, në këtë zonë, po bëhet një investim maksimal. Vetëm në zonën e Kamzës janë rindërtuar 20 shkolla.

“Kamza po bëhet vend i jetueshëm, fillimisht për fëmijët. S’kishin ku përplaseshin me muret e hapësirave të zëna, rrugë pa trotuar, pa kopshte, pa çerdhe, me ato shkolla me stërturne”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore