Rama i kërkon Evropës dhe SHBA-ve ta ndajnë mendjen dhe të ndalojnë përshkallëzimin në Veri të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një reagimi të gjatë në platformën X, ka reaguar në lidhje me situatën në Veri të Kosovës.
Ai ka theksuar se tani është koha që Bashkimi Evropian dhe SHBA të ndajnë mendjen dhe të ndalojnë përshkallëzimin.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë!”.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare “kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën!”.
“Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!”.
Lidhur me gjithë situatën, ajo rrodhi fillimisht orët e para të 24 shtatorit, kur një grup i organizuar me të paktën 30 persona qëlluan në veri të Kosovës patrullën policore, duke lënë të vrarë efektivin Afrim Bunjaku dhe duke lënë të plagosur një tjetër polic kosovar.
Këto trupa të organizuara terroriste më pas u strehuan në Manastirin e Banjskës, ku edhe u rrethuan nga Forcat Speciale të Kosovës, të cilat e mësynë objektin më vonë.
Gjatë aksionit ndërkaq, katër terroristë u konfirmuan të eliminuar dhe gjashtë persona të tjerë në tërësi janë arrestuar nga autoritetet kosovare.
Ajo çfarë është e qartë, siç ka mësuar edhe redaksia e Albanian Post nga burime jozyrtare pranë çështjes, është se grupe të strukturuara si Obraz në Serbi, apo deri edhe Wagner e Spetsnaz nga Rusia, kanë qenë pjesë e këtij aksioni kundër shtetit të Kosovës.
Megjithatë, një hetim i plotë i të gjithë ndodhive pritet, kur ka edhe akuza politike të pabazuara nga Vuçiç, se fajtor mbi këtë ngjarje është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Vuçiç nuk ka pranuar përfshirjen e strukturave serbe në ngjarje, por ka thënë se serbët e Kosovës, të frustruar nga situata në veri, janë rebeluar.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Integrimi i Shqipërisë në BE do të jetë rekord, falë Mira Muratit dhe Inteligjencës Artificiale
-
Njësia Speciale Intervenuese proteston sërish të shtunën, i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës
-
Fitore për Andrew Tate, gjykata vendos se ai mund të lëvizë lirisht brenda Rumanisë
-
Konjufca: Qasja e BE-së për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë – Serbi s’dërgon në rezultate, problemi qëndron tek kush i pari e bën hapin