Shqipëria

Rama: Glauku tjetër gjë tha në takim, tjetër gjë pasi doli nga takimi


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca doli para kamerave mbasi është konsultuar me Albin Kurtin.

“Glauku s’di fare se çfarë është drafti. Glauku di se çfarë duhet të thotë kur del para kamerave mbasi është konsultuar me Albinin pavarësisht se me kë ka qenë përpara se kështu funksionon demokracia në Qeverinë e Kosovës dhe unë e respektoj, është vendi më demokratik në Ballkan siç thotë Albini”, theksoi fillimisht Rama.

Sipas tij, gjatë takimit me zyrtarin e lartë kosovar janë “thënë të tjera gjëra”, dhe të tjera janë deklaruar jashtë dyerve.

“Glauku tha të tjera gjëra jashtë dhe të tjera brenda, pyesni atë. Po më mirë pyesni Albinin”, nënvizoi ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një prononcim pas takimit me kryeministrin Rama, komentoi më herët përpjekjet e tij për zgjidhjen e krizës në veriun e Kosovës dhe draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ua ka dorëzuar kancelarive evropiane.

Ai ka thënë se kryeministri Rama ka ndarë me autoritetet kosovare vetëm elementet e këtij mekanizmi madhor për serbët e Kosovës, porse sipas tij, propozimi i hartuar nga “ekspertë ndërkombëtarë” dhe i prezantuar nga kreu i qeverisë shqiptare është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Ai pretendon se është në përputhje me Kushtetuten e Kosovës… mua m’u kanë dukur qe elemente të caktuara të propozimit të kryeministrit Rama përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës dhe kjo është në kundërshtim me interesat e kombit shqiptar dhe popullit të Kosovës”, ka thënë kryetari Konjufca.

Kryeministri i Shqipërisë zbuloi më herët se asnjë nga krerët shtetërorë të Republikës së Kosovës nuk e disponon draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të propozuar prej tij duke shtuar se nuk e kupton se “ku e kanë lexuar”.

“Këta se kanë lexuar, ku e dinë këta. Drafti që unë kam përgatitur, është përgatitur nga ekspertë të nivelit më të lartë dhe ia kam dërguar tre personave: kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe shefit të Komisionit Evropian, Charles Michel”, shtoi kreu i Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore