Kosova

Rama emëron Sibel Halimin drejtoreshë të Kulturës në Prishtinë


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka emëruar zëdhënësen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, drejtoreshë të Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Lajmin e ka bërë të ditur Rama përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Me shumë kënaqësi e përgjegjësi Sibeli, e ka marrë detyrën e re për ta vazhduar misionin tonë për një kryeqytet me jetë të pasur kulturore e artistike”, ka shkruar Rama.

Rama, i ka uruar mirëseardhje Halimit duke pasur pritshmëri të mëdhaja nga ajo.

“Jam i bindur se përvoja dhe përkushtimi i saj do të nxjerrin në pah potencialin e madh dhe pasurinë e shpirtit artistik të Prishtinës”, ka shkruar tuje Rama.

Po ashtu, pas emërimit te Sibel Halimit në krye të drejtorisë së Kulturës, kryetari i Prishtinës ka emëruar edhe Donjeta Dragushën në krye të Drejtorisë për Zhvillimin Rurual.

“Donjeta, me vullnet dhe shumë energji do të angazhohet për të zhvilluar edhe më tutje bujqësinë dhe turizmin rural në fshatrat tona, të cilat kanë potencial të madh për agroturizëm”, ka shkruar Rama.

Ai tutje falënderoi edhe ish-drejtorin e bujqësisë Plator Gërdovcin për punën e bërë.

Ky emërim ka ardhur pasi që kryetari Rama ka shkarkuar më 5 shkurt nënkryetaren e Prishtinës, Donjeta Sahatçiun.

Shkarkimin e saj, Rama e kishte arsyetuar  duke thënë se ka ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Sahatçiu.

Në vend të Sahatçiut, Rama e kishte emëruar nënkryetare të kryeqytetit dhe ushtruese e detyrës së drejtores së Arsimit, Jehona Lushaku – Sadriun, e cila sipas Ramës, është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale.

Pas shkarkimit të saj kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, kishte marr vendim më 8 shkurt, për prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së.

Çka ndodhi?

Më 25 janar, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kishte pezulluar vendimin e Komunës së Prishtinës për të kryer një këmbim ndërmjet pronës komunale dhe pronës private që dyshohet se është bërë mes ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe biznesmenit Rrahman Haradini.

Në vendimin e MFPT mbi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinë lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit, thuhet se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) tërhoqi ligjshmërinë e lëshuar dhe çështja është rikthyer për rivendosje në Kuvendin Komunal.

Procedura e vlerësimit, sipas MFPT-së, do të nisë kur të mënjanohen pengesat ligjore të evidentuara nga MAPL-ja.

Po ashtu edhe Prokuroria e Shtetit ka nisur edhe një hetim parapenal për vendimin e komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kryeqytetit në lagjen “Prishtina e Re” me një tokë në Badoc e që dyshohet të jetë në pronësi të ish-klientëve të kryetarit Rama.

Në anën tjetër, kryetari i kryeqytetit mohoi të ketë pasur shkelje ligjore në procesin e këmbimit midis pronave komunale dhe pronave private në një konferencë për shtyp të enjten, ndërsa raportimet e mediave mbi rastin i cilësoi tendencioze për qëllim të denigrimit të qeverisjes së kryeqytetit.

(KOHA raportoi për herë të parë për dhënien e rreth 7 hektarëve në “Prishtina e Re” një biznesmeni kosovar, në këmbim të rreth 10 hektarëve që ky i fundit i kishte në pronësi në Badoc, vendbanim afër Graçanicës).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore