Kosova

Rama emëron Bardh Krasniqin drejtor të Sportit


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori i Sportit Bardh Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të enjten ka emëruar drejtor të Sportit, ish-basketbollistin Bardh Krasniqi.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari përmes një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’

“Me shumë kënaqësi ju njoftoj me Drejtorin e ri të Sportit në Kryeqytet, Bardh Krasniqi. Bardhi, një ish basketbollist i shquar në skenën vendore e ndërkombëtare vjen në këtë pozitë si profesionist për ta quar edhe më përpara fushën e sportit”, ka shkruar ai.

Tutje deklaroi se drejtori i ri do të angazhohet për realizimin e projekteve për ta bërë kryeqytetin gati për “Lojërat Mesdhetare 2030”.

“Falënderoj për punën e palodhshme deri tani në drejtorinë e sportit, ish drejtorin Granit Rugova”, ka shkruar tutje.

Së fundmi Rama ka emëruar edhe Donjeta Dragushën në pozitën e Drejtoreshës për Zhvillimin Rural, si dhe Sibel Halimi, drejtoreshë të Kulturës.

Çka ndodhi?

Më 25 janar, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kishte pezulluar vendimin e Komunës së Prishtinës për të kryer një këmbim ndërmjet pronës komunale dhe pronës private që dyshohet se është bërë mes ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe biznesmenit Rrahman Haradini.

Në vendimin e MFPT mbi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinë lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit, thuhet se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) tërhoqi ligjshmërinë e lëshuar dhe çështja është rikthyer për rivendosje në Kuvendin Komunal.

Procedura e vlerësimit, sipas MFPT-së, do të nisë kur të mënjanohen pengesat ligjore të evidentuara nga MAPL-ja. Po ashtu edhe Prokuroria e Shtetit ka nisur edhe një hetim parapenal për vendimin e komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kryeqytetit në lagjen “Prishtina e Re” me një tokë në Badoc e që dyshohet të jetë në pronësi të ish-klientëve të kryetarit Rama.

Në anën tjetër, kryetari i kryeqytetit mohoi të ketë pasur shkelje ligjore në procesin e këmbimit midis pronave komunale dhe pronave private në një konferencë për shtyp të enjten, ndërsa raportimet e mediave mbi rastin i cilësoi tendencioze për qëllim të denigrimit të qeverisjes së kryeqytetit.

(KOHA raportoi për herë të parë për dhënien e rreth 7 hektarëve në “Prishtina e Re” një biznesmeni kosovar, në këmbim të rreth 10 hektarëve që ky i fundit i kishte në pronësi në Badoc, vendbanim afër Graçanicës).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore